Ngjela distancohet nga miku i tij: Henri, mendje lehtë. Të fitojë në gjyq

Avokat Spartak Ngjela shprehet i habitur për arrestimin e botuesit Henri Cili. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Ngjela tha se akuzat janë shumë të rënda, por do jetë drejtësia ajo që do ta provojë.

Spartak Ngjela: U habita po ato që dëgjova pjesërisht në media ishin të rënda. Unë dëgjova provat që dha prokuroria me policinë. Janë të rënda, po i ka bërë mendje lehtë, çdo gabim ka kosto. Të përballet dhe le të fitojë. Janë apo nuk janë të vërteta e cakton një vendim gjyqësor. Në kapitalizëm krime të tilla ndodhin. Mirë është të mos shkelen ligjet, por ata që i shkelin duhet të përballen. 

Henri Çili u arrestua gjatë një operacioni policor me 6 akuza. Burimet kanë bërë të ditur se ai dyshohet të ketë premtuar se do  të ndikonte në Gjykatën e Lartë për të liruar dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të dënuar si pjesë e grupit të zjarrit që vranë efektivin e RENEA-s,  Ibrahim Basha, në operacionin e qershorit të vitit 2015 në Lazarat.

Ai akuzohet për “Fshehje e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.