“Unë nuk njoh Zot”| Zbulohet letra e fundit e Nexhmije Hoxhës për fëmijët dhe SIGURIMIN

Nexhmije Hoxha, gruaja e ish diktatorit Enver Hoxha ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 99 vjeçare.
Në letrën që gruaja e ish-diktatorit ka shkruar për fëmijët e saj, ajo që bie në sy është konflikti që ka patur me të birin e saj, Sokolin dhe bashkëshorten e tij Liljanën. Këta të fundit nuk i shkuan sot as në ceremoninë mortore.

Në letrën e saj të publikuar nga “Dita”, Nexhmije Hoxha vlerëson djalin e saj, Ilirin dhe nusen e tij Teutën, si dhe vajzën e saj Pranverën, për të cilat thotë se ja bënë jetën të jetueshme me përkujdesje të veçante.

Ndërkohë që për djalin e saj Sokolin, thekson se u lidh me një grua të sëmurë nga nervat, të sëmurë nga koka dhe të ligë nga shpirti.

“Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral”, thekson Nexhmije Hoxha, ndërkohë që më tej shton se: “Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës”, shkruan më tej Nexhmija në letër.