Rrugë emigranti

Astrit Lulushi

Është kuptimi i vendit, dhe jo vendi, që njeriu vlerëson. Kuptimi është thelbi. Pa kuptim asgjë nuk ka vlerë, si Soldat e kohēs së Duçes me të cilat fëmijët mësonin se si të hidhnin Lekët. Në Shqipërinë e Luftës së Ftohtë kishte të privilegjuar e të nënshtruar dhe nga ata që fillimisht mësuan ç’është liria, kundërshtuan, ranë në burgje, kaluan ushtarë e tela, u hodhën matanë dhe adoptuan një identitet të ri kombëtar e jetë më të mirë, nuk dihet kush vjen e para apo të dyja njëherësh. Këta ishin pjesë e një përpjekjeje të pavetëdishme në shkallë të gjerë për t’u quajtur diçka tjetër.
Asaj kohe, gjysma e shqiptarëve jetonin në Jugosllavi dhe quheshin “të lirē” nga gjysma tjetër në Shqipëri.
Shumë prej tyre u shpërngulën në Turqi dhe atë komb adoptuan. Palët nuk kishin zgjedhur rrugë të lehta; njëra u nis drejt së panjohurës, tjetra drejt asaj që kishte filluar t’a harronte. Të dyja të detyruara.
Por, për të kuptuar një gjë, vëzhgo fillimin dhe zhvillimin e saj, thotë Aristoteli. Dhe kohët e para thuajse asgjë nuk kuptohet. Një komb i përçarë, ku mund të dënohesh nëse mban flamurin tënd; ku urrehesh nëse nuk mohon prejardhjen tënde; ku jeton i ndarë në dy shtete me taksë midis; ku një president bën thirrje për shkarkimin e kryeministrit dhe një kryeministër kërkon shkarkimin e presidentit; ku bashkëpunëtorë të diktaturës një e nga një vdesin natyrshëm dhe askush nuk çuditet e s’revoltohet që kishin mbetur ende gjallë me gjithë ato krime në kurriz: Gënjeshtra lehtë përtypet dhe ajo që është e vërtetë refuzohet.