Konfirmohet në detyrë gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nën sitën e vettingut ka kaluar edhe Irena Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përfundim të seancës gjyqësore, me dhënien e vendimit, Gjoka është konfirmuar në detyrë.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Gjoka ka mundur të kalojë të tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, analizën e pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.