Shefi i ANTIMAFIAS: Grupet kriminale shqiptare kanë “ambasadorë” në Itali e Kolombi

Nga Alba Kepi

Shqiptarët vijojnë të zënë një vend të rëndësishëm në menaxhimin e trafikut të kokainës në Itali. Kreu i Antimafias Italiane Federico Calfiero De Raho deklaron se në shumicën e rasteve ata bashkëpunojnë me grupe kriminale vendase, por edhe në mënyrë individuale. Për autoritete italiane Shqipëria mbetet sërish vendi kryesor i prodhimit të mariuanës.

Autoritetet e drejtësisë italiane shprehin shqetësimin e rritjes së influencës së shqiptarëve në trafikun e kokainës dhe drogave të tjera në vendin fqinj. Në intervistë ekskluzive për Ora News, me gazetaren Alba Kepi, Kreu i Antimafias Italiane, Kryeprokurori Federico Calfiero De Raho, thotë se trafikantët shqiptarë kanë rol të rëndësishëm në Itali, duke bashkëpunuar edhe me mafien vendase.

Federico Calfiero De Raho: “Grupet kriminale shqiptare kanë tashmë një përfaqësim të madh në territorin italian ku ekzistojnë grupe shqiptare që menaxhojnë trafikun e lëndëve narkotike, herë në aleancë me grupet mafioze italiane, e herë në autonomi. E ku fakt dëshmon se aktiviteti kriminal shqiptar në Itali është veçanërisht i gjerë e shtrihet dhe në vendet e tjera të Evropës. Vetë kjo mafia menaxhon importimin e kokainës nga vendet prodhuese e ka ngritur një rrjet për pritur e marrë këto ngarkesa me drogë në porte të ndryshme të detit Tirren e në Evropën Veriore”.

Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Antidrogë në Itali, Gjeneral Giuseppe Cuçhiara, thotë se Shqipëria mbetet vend i rëndësishëm i prodhimit të marijuanës.

Federico Calfiero De Raho: Shqipëria është një vend me të cilin kemi vendosur një raport e bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës, por që po impenjohet në sfidën e luftës ndaj saj, Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm i tranzitit të drogës si dhe mjaft vende të tjera, por e identifikoj më shumë si një vend i prodhimit e transportit të marijuanës se sa një vend për tranzitimin e kokainës

Në një aktivitet për politikat antidrogë organizuar në romë ku mori pjesë edhe Shqipëria u theksua se rrugët e trafikimit të drogave janë në evolucion të vazhdueshëm që nga avionët deri te nëndetëset, materialet e ndërtimit, automjetet etj. Afera ekonomike e biznesit të drogës në botë përllogaritet të jetë 450 miliardë euro në vit