Njeriu i ditës: Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës


Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës, në përvjetorin e vdekjes

Ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit, imzot Doçi. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Për imzot Doçin Rilindja Kombëtare qe një program, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme Mirditës.
R.SH. – Vatikan

Më 22 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Abatit të Oroshit të Mirditës, imzot Preng Doçin, që ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917 .

U shkollua në Shkodër e në Romë. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e Mirditës e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit në udhëheqje, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar.

Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur dom Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga meshtarët e zellshëm dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës meshtarake dhe atdhetare; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur mori detyrën e Abatit, detyrën e bariut të një Kishe të veçantë në Mirditë e jo vetëm, dhe si prelat i lartë e diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindasëve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore gjendej në sprova të rënda qeverisje.

Në fushën e jetës fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore e kombëtare, në anën tjetër luftonte për dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë, si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin përparimin e rritjen e vlerave tek populli.

Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit.

Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”.

Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus – qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai.

Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Më 1911 – 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve. Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri.

Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë “Një kushtrim shqiptarëve” dhe “Shqipnia nën zgjedhën turke”, shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen e mjeruar të popullit, të vendit dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke gjykuar me mprehtësi situatën politike, nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta për luftë kundër turkut pushtues:

N’qafë ma zgjedhën kush e bán?
Kambëve prangat lidhë na i kanë,
Osmanllia edhe na shán,
Na pin gjakun, mishtë na e han.
Shqyptár trima, zgjedhën lshoni
Kputni prangat e luftoni!

Abati i madh i Mirditës hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit.