Askush nuk mund ta ndryshojë historinë

Mordecai

Historia studiohet që të nxirren mësime për të sotmen dhe ngjarjet t’u përcillen brezave. Por pushtuesit tanë po na detyrojnë të ndryshojmë librat shkollorë të historisë. Ata duan të na heqin nga librat pjesët ku shkruhet se na kanë vrarë e kanë marrë tokat.

Së fundi grekët po na kërkojnë të fshijmë Çamërinë dhe pjesët ku ata kanë vrarë e na kanë pushtuar e na kanë grabitur krahinat. Më herët këtë e kanë bërë shpesh turqit, italianët, serbët dhe malazezët. Otomanët na kanë vrarë, pushtuar dhe shfrytëzuar ekonomikisht për 450 vjet, por kjo nuk mund të thuhet më në shkolla.

Shqipëria u pushtua dhe ripushtua shpesh gjatë historisë së saj nga ushtritë turke, serbe, greke, italiane, malazeze, franceze, austro – hungareze dhe gjermane. Për shembull, gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) austro-hungarezët pushtuan Shqipërinë e veriut dhe atë të mesme deri në Vjosë. Italianët mbanin nën kontroll Vlorën dhe Gjirokastrën deri në Leskovik. Francezët e ardhur nga Selaniku pushtuan Korçën deri në Gorë e Opar.

Nëpër territorin e Shqipërisë kaluan ose qëndruan gjatë mori me njësi ushtarake nga Italia, Franca, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Austro-Hungaria dhe Bullgaria. Ata të gjithë kanë vrarë shqiptarë dhe pushtuan territoret tona, por tani këto fakte nuk duhen thënë në librat e historisë.

Këto tani nuk mund të thuhen, sepse shumica e tyre janë anëtare të Bashkimit Europian. Ne që u vramë, u dogjëm dhe u varfëruam nga ekonomia nuk mund të hapim më gojën për vuajtjet e paraardhësve tanë. Nuk mund të hapim gojën as për tokat, krahinat dhe fshatrat që na grabitën pas masakrave.

Viktimat, dëshmorët dhe tokat që humbëm nga pushtuesit tanë ne nuk mund t’i përmendim më as në librat e shkollave tona, nuk mund t’ua themi më as fëmijëve tanë. Të gjithë pushtuesit tanë po na fshijnë nga një rresht nga historia e vuajtjeve tona me krimet e tyre.

Herë me presione e herë me buzëqeshje miqësore, ata po na e zbukurojnë aq shumë historinë, duke fshirë krimet e tyre nga jeta jonë. Ka për të dalë një histori lumturie pa kufi, ku nuk do të merret vesh pse vriteshim dhe zhdukeshim ne shqiptarët dhe pse nuk zhvilloheshim ne.

Nuk do të merret vesh kush dhe pse nuk na lejonte që të hapnim shkolla dhe kush na vriste mësuesit. I papërfytyrueshëm ka për të dalë ai libër i censuruar nga pushtuesit tanë. Nuk do të kuptohet më pse gjysma e trojeve dhe popullsisë shqiptare janë jashtë kufijve shtetërorë dhe anekse të shteteve pushtuese fqinje.

I katandisur kështu, ai libër nuk do të flasë më për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse po u hoqe pushtuesit, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të kuptohen më kush janë, nga vijnë dhe si u ka shkuar jeta. Shqipëria dhe pushtuesit e saj janë lidhur fort në shekuj dhe nuk mund t’i ndajë më asnjë korrektesë politike