Fevziu: Arkitekti më i mirë i Musolinit bëri një vilë në Tiranë, ja ku ndodhet

Tirana që sot të gjithë e gëzojnë dhe shijojnë është vepër e arkitektëve italianë, pa të cilët sot kryeqytetit shqiptar do të ishte si gjithë qytetet e tjera komuniste.

Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në studion e lajmeve në Ora News përmendi arkitektët italianë, të cilët dizenjuan Tiranën dhe i dhanë një idenitetit unik kryeqytetit.

Një prej tyre që dha kontributin më të madh është edhe  Gherardo Bosio, për të cilin Fevziu tha se vdiq mbi planet rregulluese të Tiranës.

Blendi Fevziu: Musolini vendosi ti çojë Ahmet Zogut disa nga arkitektët më të mëdhenj që kishte Italia. Njëri prej tyre ishte nga më të mëdhenjtë në botë, Armando Brasini. Arkitektët erdhën, negociuan me Zogun. Brasini bëri një plan mahnitës të sheshit Skënderbej, por ishte aq i shtrenjtë dhe aq pompoz sa nuk ia mbante as Italisë ta financonte dhe as Zogut. Atëherë Brasini nuk bëri asnjë vepër në Tiranë. Ka ndërtuar vetëm një vilë në Tiranë, që është vila e Abedin Nepravishtës, kryetarit të bashkisë së Tiranës, që është ende sot në këmbë në rrugën e Kavajës, është e vetmja vepër e Brasinit në Ballkan, por ai dha një koncept që vlejti dhe ndoshta i ka vlejtur dhe sot Tiranës, që mos preket qyteti i vjetër osman i Tiranës, por të ndahej nga qyteti i ri me një bulevard të gjerë që është bulevardi nga Sheshi Skënderbej deri tek Treni. Ai vendosi që ta ndante Tiranën me një aks. Në të djathtë të aksit të ishte Tirana e re dhe Tirana e vjetër mbetej Tirana osmane e paprekur. 

Pas ikjes së tij Musolini dërgoi Florestino de Fausto, i cili projektoi godinat e ministrive, u vendosën akset qendrore. Pastaj arkitekti i fundit italian që la gjurmë është Gherardo Bosio. Bosio ishte një 38-vjeçar fiorentin. Bosio fitoi në atë kohë. Ai bëri godinën e kryeministrisë, korpusin universitar, Akademinë e Lartë të Arteve, kolonat, stadiumin dhe dizenjoi pallatin mbretëror. Bosio për fat të keq vdiq 38 vjeç nga kanceri mbi planet rregulluese të Tiranës. Atë e zëvendësoi Giulio Berte, i cili ka bërë edhe korpusin e Teatrit Kombëtar. Këta arkitektë italianë e dhanë një identitet Tiranës që sot është unikal. Në të kundër Tirana sot do ishte si qytetet komuniste, me një rrugë në mes dhe pallate 4-katëshe