Kantautori Diodato, fituesi i Sanremo 2020


Diodato ka fituar Sanremo 2020. Pas plot pesë netësh spektakël, që kaloi më shumë se 30 orë transmetimi, Sanremo ka një emër fitues për edicionin e 70-të të tij. Gara e fundit ishte mes Francesco Gabbani-t dhe Diodados pas televotimit. Një garë që përfundoi me tre emra: Pinguini Tattici Nucleari me Ringo Starr, Francesco Gabbani me Viceversa, si edhe Diodato me “Fai rumore”. Pas televotimit të tre këngëve, në vendin e tretë u rendit grupi Pinguini Tattici Nucleari.

Amadeus, drejtori artistik dhe moderator i këtij edicioni, ia doli që t’u rikthente italianëve vëmendjen nga Sanremo, duke kaluar më shumë se 54% shikueshmëri. Nga nata në natë, elementët e spektaklit e sjellë në skenë edhe nga Rosario Fiorello, e bënë këtë edicion të 70-të të këngës italiane të mbahet mend gjatë e të komentohet si një ndër më të ndjekurit e pothuaj 40 viteve të fundit.

Diodato mori 46 vota, Francesco Gabbani 15 vota, ndërsa Pinguini Tattici Nucleari ka marrë 13 vota.

Festivali i 70-të i Sanremos, eventi më i rëndësishëm muzikor në Itali u transmetua direkt ne RTSH. Kujtojmë se në natën e tretë të spektaklit mori pjesë edhe Alketa Vejsiu. Ajo prezantoi krah Amadeus-it dhe tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave italiane.