Dua Lipa fantastike në «Die Zeit Magazin» të Hamburgut

Në një intervistë dhëne magazinës së gazetës gjermane «Die Zeit» këngëtarja Dua Lipa ka folur jo vetëm për muzikën dhe karrierën e saj, por dhe sidomos për politikën.

Disa detaje nga intervista:

1.
Serbët u përpoqën të interpretojnë historinë tonë. Gjyshi im ishte historian dhe nuk pranoi që në emrin e tij të ndryshohet historia. Kundërshtoi dhe humbi vendin e punës.

2.
Të jesh i vetëdijshëm nga ke ardhur dhe të mbrosh gjërat në të cilat beson – kjo është e rëndësishme për ne. Kjo është arsyeja përse unë, motra dhe vëllai im flasim shumë mirë shqip, ndonëse pjesën më të madhe të jetës sonë e kemi kaluar në Britaninë e Madhe. Edhe mesazhet telefonike i shkruajmë shqip.

3.
Kur flas shqip kam më shumë humor.

4.
Më trondit debati mbi refugjatët që po zhvillohet gjithkund. Shqetësohem për fëmijët, të cilët kanë ëndrra si unë dikur, por nuk mund t’i realizojnë, siç kam mundur unë. Sepse kanë lindur në vende ku nuk e kanë të mundur këtë. Unë e di se kam pasur shumë fat në jetë.

5.
Kosova ende nuk është anëtare e BE-së – është me rëndësi që kjo të ndryshojë, sidomos për të rinjtë. Me pasaportë të Kosovës nuk mbërrin larg, duhet vizë e Schengenit që të shkosh në Europë, kjo është e ndërlikuar dhe zgjat pafund.

6.
Shumicës së njerëzve në botë menjëherë u sillet në mendje lufta kur përmendet Kosova, e qartë, dikur ka qenë zonë lufte. Por qëmoti Kosova është shumë më tepër. Prandaj mllefosem përherë kur njerëzit thonë se Kosova i takon Serbisë.

7.
Kur i dëgjoj rrëfimet për Trumpin në SHBA dhe Brexitin te ne (në Britaninë e Madhe), kjo më trondit pafund. Por ndërkohë jam mësuar të jem e tronditur vazhdimisht. Të gjithë ata që i njoh kanë votuar për të qëndruar në BE, të gjithë besojnë në diversitet dhe të drejta të barabarta për të gjithë.

8.
Greta Thunberg është fantastike. Kur një 17-vjeçare të gjithëve u shpjegon se çfarë domethënë ndryshimet klimatike, kjo ka aq shumë fuqi, më shumë se kur këtë mesazh vjen nga goja e pleqve.

Perktheu E. R