SPORT | lista e futbollistëve dhe trajnerëve më të paguar në botë

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, vazhdon të jetë futbollisti më i paguar në botë, duke e lënë prapa vetes Cristiano Ronaldon e Juventusit, sipas të dhënave të publikuara nga gazeta franceze L’Equipe.

Sipas gazetës franceze, 32-vje֛çari Lionel Messi paguhet 8.3 milionë euro në muaj, në krahasim me 4.5 milionë eurot që 35-vjeçari Cristiano Ronaldo i merr në Juventus, ku u transferua në verën e vitit 2018.

Ata të dy ndiqen nga ylli i Paris Saint-Germainit, Neymari, i cili është lojtari me pagën më të lartë në Francë (mbi tre milionë euro në muaj), ndërsa pas tij në Francë vjen bashkëlojtari i tij në PSG, Kylian Mbappe, me gati dy milionë euro në muaj.
Pas Messit, Ronaldos dhe Neymari janë dy lojtarë të Barcelonës: francezi Antoine Griezmann dhe uruguaiani Luis Suarez, që fitojnë pak më pak se tre milionë euro në muaj. Pas tyre vijnë dy yjet e Real Madridit, Gareth Bale dhe Eden Hazard, me nga 2.5 milionë euro në muaj.

Në listë përfshihen edhe: David de Gea i Manchester United (1.76 milionë euro në muaj), Mesut Ozil i Arsenalit (1.64 milionë euro në muaj), Kevin de Bruyne i Manchester Cityt (1.64 milionë euro në muaj), Robert Lewandowski i Bayern Munichut (1.66 milionë euro në muaj), Philippe Coutinho i huazuar në Bayern nga Barcelona (1.66 milionë euro në muaj), Gonzalo Higuain i Juventusit (1.09 milionë euro në muaj) dhe Paulo Dybala i Juventusit (1.06 milionë euro në muaj).

Trajnerët më të paguar në botë

Diego Simeone i Atletico Madridit e mban pozitën e trajnerit më të paguar në botë me 3.6 milionë eurot në muaj që i merr, ndërsa në pozitën e dytë radhitet Pep Guardiola i Manchester Cityt që paguhet 1.94 milionë euro në muaj.

Pas Guardiolës vijnë dy rivalët e tij në Premierligë – Jurgen Kloppi i Liverpooli dhe Jose Mourinho i Tottenhamit, të cilët paguhen nga 1.46 milionë euro në muaj. Ndërsa, trajneri i Real Madridit Zinedine Zidane paguhet me 1.4 milionë euro në muaj e Antonio Conte i Interit 1.38 milionë.