Zbardhet atentati në Vlorë. Ja pse u qëllua Greca

Një konflikt i çastit mes dy të njohurve në Vlorë, për pak sa nuk ka përfunduar në viktima në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’ në qytetin e Vlorës.

Vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë, ku objektivi i këtij atentati Eneo Greca, u qëllua me tre plumba pistolete, strukturat e hetimit të krimit, pranë policisë së Vlorës, kanë arritur të identifikojnë dhe shpallin në kërkim autorin e kësaj ngjarje.

Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, ai është Marios Ramosaçaj, dhe dyshohet të jetë personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Eneo Greca.

32-vjeçari Marios Ramosaçaj, momentalisht është shpallur në kërkim policor, ndërkohë ndaj tij është ngritur akuza e ‘Vrasjes me dashje’ mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit’.

Ramosaçaj dyshohet se një ditë para ngjarjes ka patur një konflikt me Eneo Grecan, ku kanë shkëmbyer sharje me njëri-tjetrin. Por vetëm një ditë më pas, në datën 24 janar 2020, teksa Greca ndodhej duke ecur me makinën e tij në lagjen ‘10 korriku’ në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’ në Vlorë, ai është qëlluar tre herë me pistoletë nga personi i dyshuar Marios Ramosaçaj.

Pas kësaj goditje, Ramosaçaj është larguar me shpejtësi, ku pavarësisht kontrolleve të disa banesave nga policia e Vlorës, sërisht Ramosaçaj nuk është arritur të lokalizohet dhe arrestohet.

Ndërkohë në vendngjarje është sekuestruar një automjet në pronësi të Eneo Greca dhe tre gëzhoja pistolete 9 milimetërshe.

Pas goditjes me armë, Eneo Greca, ka telefonuar bashkëshorten e tij, duke i pohuar: ‘…më qëlluan, shpëtova mirë…’.

Më pas ka qenë gruaja e Grecas, që ka njoftuar policinë për ngjarjen që kishte ndodhur. Por teksa policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka gjetur fuoristradën ‘Porche’, pronari i saj ishte larguar në drejtim të paditur.

Vetëm disa orë më pas Eneo Greca, është paraqitur në polici duke rrëfyer rreth ngjarjes së ndodhur./ Shqiptarja.com