Rama superlativa për shkollën në Surrel, por Zaho shkon në shkollë private

“Përveç rikonstruksionit të rrugës, banorët e zonës së Surrelit në Tiranë kanë edhe një shkollë e kopësht me kushte shumë herë më të mira për fëmijët e tyre. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar shkollën e mesme “Ymer Lala” në Surrel, ku mësojnë rreth 300 nxënës, ndërsa bashkëngjitur saj ka edhe një kopsht për më të vegjlit”.

Kështu nis njoftimi i shpërndarë nga zyra e shtypit në Bashkinë Tiranë, e cila kujdeset gjithashtu të përfshijë edhe elozhet e kryeministrit Edi Rama për kryebashkiakun Erion Veliaj.

“E rëndësishme është që gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe cilësi, si kudo ku vë dorë Lali Eri, dhe përpiqet që jo vetëm për t’u krijojë kushte optimale atyre që vijnë në shkollë, por edhe për t’u dhënë shpresë dhe optimizëm atyre që presin që t’ju vijë radha, sepse gjërat bëhen me radhë dhe përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë”, ka thënë Rama.

Por entuziasmi i kryeministrit për shkollën e Surrelit s’ka lidhje ndoshta me atë që djali i tij i vogël studion aty. Rama e ka zgjidhur ndryshe për Zahon. 5-vjecari ndjek studimet e ciklit parashkollor në një shkollë private. Lapsi.al mëson se djali i kryeministrit aktualisht shkon në shkollën “WAT”- The Ëorld Academy of Tirana. Më herët ai ka qënë në shkollën “Montesori”.