Shqipëria merr masa, urdhër për të informuar mjekët si zbulohet koronavirusi

Pas shpalljes së emergjencës shëndetësore në Kinë, e cila u shpall një ditë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar urdhër për institutin e Shëndetit Publik, ku i kërkon të merren masa parapërgatitore për tu mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri.

Ndonëse Shqipëria konsiderohet një vend me rrezikshmëri të ulët përsa i përket përhapjes së koronavirusit, ISHP duhet të përforcojë mbikqyrjen e infeksioneve të rënda respiratore akute, në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Urdhëri specifikon që Instituti i Shëndetit të Publik të përgatisë përkufizimin e rastit, kur një pacient konsiderohet i prekur nga koronavirus në mënyrë që ta kenë të qartë të gjithë mjekët. Gjithashtu kërkohet edhe një udhëzues për menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit.

Nga ana tjetër në Aeroportin e Rinasit një ekip i Inspektoriatit Shëndetësoe Shtetëror mbikqyr të ardhurit nga aeroportet e tjera, veçanërisht nga zonat e infektuara. Sipas zyrës së komunikimit në Aeroportin “Nënë Tereza” është gati edhe një ambient i posaçëm për të izoluar ndonjë rast të mundshëm apo të dyshuar. Ekspertët thonë se rreziku i depërtimit të virusit është i vogël, pasi Shqipëria nuk ka linja ajrore direkte me Kinën dhe se udhëtarët që mbërrijnë në vendin tonë skanohen më parë në aeroportet nga janë nisur.