Dhunoi barbarisht vajzën 13-vjeçare, gjykata lë në burg mamanë. “E kanë montuar videon…”

Gjykata e Sarandës la në burg nënën 41-vjeçare Elisabeta Mita, e cila akuzohet se ka dhunuar barbarisht vajzën e saj 13-vjeçare. Në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur këtë të premte, 41-vjeçarja mohoi akuzat dhe akuzoi bashkëjetuesin e saj, Arjan Mekollari se videon e ka montuar ai.

“Momenti që unë jam konfliktuar me vajzën time nuk është siç paraqitet në televizor, kam dyshime se është manipuluar kjo video dhe kërkoj të bëhet ekspertimi i saj se ish-bashkëshorti im ka mbaruar për aktrim dhe regjisurë dhe di të përdori mënyrat për të bërë manipulime. Mendoj se qëllimi i ish-bashkëshortit tim ka qenë që ai të marri kujdestarinë e djalit dhe të vajzës time, me qëllim që të përfitojë bonuset dhe banesën që unë marr nga Bashkia Sarandë.”

Ajo shkoi më tej me akuzat ndaj bashkëjetuesit, me të cilin thotë se është ndarë, duke deklaruar para gjykatës se ai ka ngacmuar seksualisht vajzën 13-vjeçare.

“Koha nuk më kujtohet, por kam shkuar në shtëpi kam gjetur vajzën dhe ish-bashkëjetuesin në divan të mbuluar me të njëjtën batanije dhe sa hyj unë brenda u larguan nga njëri-tjetri. I kam thënë vajzës së çfarë kërkon aty, ajo më ka thënë se kisha ftohtë nga këmbët dhe ajo më tha që ti futja këmbët te këmbët e babit. Shumë herë të tjera e afronte vajzën shumë afër duke i kërkuar t’i tregonte programe nga telefoni, por ishin kaq afër sa të jepte përshtypjen se ai e ngacmonte ose e prekte, ose prekej me të shumë afër dhe në mënyrë intime, gjë që më krijonte shqetësim dhe dyshim se mos më ngacmonte vajzën.”

Të njëjtin version të historisë tha para trupës gjykuese edhe avokati mbrojtës i Elisabeta Mitës, Gjergj Imeraj. Edhe ai deklaroi se videoja e publikuar në media ishte një sajesë e Arjan Mekollarit. Pavarësisht pretendimeve, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për nënën 41-vjeçare.

Elisabeta Mita doli para drejtësisë pasi nga një emission investigativ u publikua pak ditë më parë një video ku ajo dukej duke dhunuar brutalisht vajzën e saj pse nuk kishte larë enët.