“Ata para 100 vitesh kanë qenë burra, kanë qenë ashtu..”. – thonë shqiptarët



Nga Indrit Vokshi

“Burrat e shtetit janë thjesht disa politikanë që kanë vdekur” – thotë një shprehje. Edhe ata shqiptarët para 100 vitesh, shumë syresh kanë qenë interesaxhinj të vegjël, spiunë me pagesë të shteteve të tjera, kumarxhinj e të korruptuar. Ata që skanë qenë të tillë, kanë qenë smirëxhinj që mbyteshin në inate ndoshta të virtytshme e njerëz të patalentuar të cilët digjnin veten dhe mundësinë. Pak ka pasur të saktë e saktësia ka qenë e vakët ose me vakume.

Sot ka hyrë në parlament lloj-lloj gallofi, lloj-lloj personazhi, cilësia e përfaqësimit është ulur shumë, ka mbërritur nivelet e 1950-1960, ndaj na duken sikur ata para 100 vitesh kanë qenë shenjtorë. Ama vrasjet politike ata të para 100 viteve i nisën, konçesionet poshtëruese ata i nisën, tradhëtinë kombëtare ata e nisën; ata, disa që ne i mbajmë në mure e ua mësojmë fëmijëve si patriotë të mëdhenj.

Ndaj nuk ka nevojë për idhujtari koti, duke fallsifikuar imazhe të politikanëve. Ka nevojë për ta kuptuar me realizëm se si funksionon loja, çfarë i duhet njeriut, familjes, shoqërisë që të jetojnë të lirë. Cili është vendi i pasurisë, i punës, i kultit, i taksës, i privatsisë, i parasë. Duhet ta kuptojmë botën siç është, deri ku shkojnë idealizmi e romantizmi e deri ku shkojnë interesi dhe siguria.

“Shkriu pasurinë për Shqipërinë” – nuk duhet parë aq romantike sa paraqitet. Njeriu e shkrin pasurinë për krijimin e një shteti të ri me qëllim që brenda shtetit të ri të marrë rol politik më të madh se në të vjetrin. Interesi i gërshetuar edhe me romancën. Bota sheh tregtinë dhe secili sheh identitetin e vet në bashkëveprim, jo të ngujuar.