24 janar: 101-vjetori i ndarjes nga jeta të Ismail Qemal bej Vlorës

Në 101-vjetorin e ndarjes nga jeta, Banka e Shqipërisë përkujton atdhetarin, themeluesin e Shtetit Shqiptar dhe kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemal bej Vlorën (16 tetor 1844 – 24 janar 1919).
Lindur në 16 tetor 1844, në Vlorë, që në moshë të re punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane dhe, pas përfundimit të studimeve për jurisprudencë, mbajti funksione të rëndësishme administrative, të cilat shpesh i përdori për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për krijimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.
Karriera politike dhe përpjekjet e bëra në ndihmë të popullit të tij për të arritur pavarësinë, e bënë atë një udhëheqës të shquar të Lëvizjes Kombëtare dhe, pas nënshkrimit të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë, edhe kryeministrin e parë të Shqipërisë së pavarur.
Qeveria shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali pati si një nga objektivat parësorë të saj, krijimin e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila duhet të ndiqte shembullin e bankave kombëtare të shteteve evropiane. “E them me lavdurim” – vinte në dukje ai në fjalimin që mbajti në sheshin e mbledhjes në Vlorë – “se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”.
Me nënshkrimin e konventës bankare më 4 tetor 1913, Ismail Qemali ishte i bindur se Banka Kombëtare e Shqipërisë, do të çonte drejt zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe konsolidimit të pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Por, problemet me të cilat u ndesh Shqipëria gjatë kësaj periudhe nuk krijuan mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të Bankës, veprimtaria e së cilës u ndërpre përfundimisht në qershor 1914.