FOTO|1920, “ai dëshiron të martohet me një grua amerikane”

Nga Armand Plaka

Në këtë foto shfaqet një djalosh nga paria (me shumë gjasa) e Tiranës më 3 prill të vitit 1920. Skeda origjinale që rrjedh nga Arkiva e Kryqit të Kuq Amerikan, nuk na e mundëson identifikimin me emër e mbiemër e as vendin e saktë ku është bërë kjo foto. Aty thuhet se “ai dëshiron të martohet me një grua amerikane”. Kjo kishte qenë në fakt – po sipas diçiturës origjinale – edhe përgjigja apo kushti i tij ndaj thirrjeve të shumta të bëra nga ana e KKA për ndihmë ndaj mijëra shqiptarëve. Më tej, në skedën shoqëruese shënohet se ky djalosh “disi i veçantë” është një nga latifondistët e pasur të vendit, i cili tashmë, për shkak të kushteve kaotike të qeverisjes që mbizotërojnë në vend, i duhet të mbajë me shpenzimet e veta një forcë të madhe xhandarmërie për të ruajtur kësisoj pronat e tij. Sidoqoftë në fund nuk arrijmë të marrim dot vesh – veç emrit e mbiemrit të tij – nëse këtij djaloshi “sqimatar” KKA ia dha atë që kërkonte dhe nëse si pasojë mundi të kontribonte në lehtësimin e vuajtjeve të shqiptarëve, të cilat në atë kohë, të raskapitur nga Lufta, dihet se kanë qenë të mëdha e të shumëllojshme. Me shumë gjasa, as amerikanët nuk i kanë gjetur dot nuse, e as ai s’ e ka vrarë shumë mendjen për vuajtjet e shqiptarëve. Nëse dikush ka indicie më të qarta për këtë personazh, le të shkruajë te komentet emrin e tij.