Kongresi i Lushnjës dhe siguria kombëtare

Nga Zaho Golemi, (Kolonel r.)

“Kongresi historik i Lushnjës dhe koncepti për zgjidhjen e çështjes së Sigurisë e Mbrojtjes së Shqipërisë. Krijimi i organizmave të Sigurisë dhe Mbrojtjes (Komanda e Përgjithshme dhe Komanda e Xhandarmërisë). E megjithatë Kongresi i Lushnjës ka detaje dhe ngjarje që ja vlen të njihen gjerësisht e thellësisht, deri në rivlerësim historik dhe institucional për shtetin shqiptar. Kongresi i Lushnjës u zhvillua me ndërprerje nga 21 deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi Këshillin e Naltë të shtetit prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një Këshill Kombëtar/Senat/Parlament me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Kongresi rrëzoi unanimisht qeverinë e Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Mihal Turtullin, si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris. Në seancën e katërt të mbledhjes të 30 janarit, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Luigj Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Mihal Turtullin. Kongresi zgjodhi dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina; Ministër i Brendshëm Ahmet Zogu, Ministër i Jashtëm Mehmet Konica, Ministër i Drejtësisë Hoxhë Kadria, Ministër i Financave Ndoc Çoba, Ministër i Arsimit Sotir Peci, Ministër i Luftës Ali Riza Kolonja, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore Eshref Frashëri dhe Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafëve Idhomene Kosturi. Në mbledhjen e 31 janarit pasdite, kongresi zgjodhi 37 anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit; ndërkohë që kongresi u dha fund punimeve të tij, duke vendosur Tiranën – kryeqytet të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës për shumë kohë është lënë në hije, ndërkohë që është një kongres-monumental në pikëpamje të institucionalizimit të shtetit shqiptar. Kongresi filloi i gjakosur sepse më 15 janar 1920 në Durrës u vra Abdyl Ypi, figurë e shquar intelektuale e mëncurisë kolonjare. Vrasja e njërit prej organizatorëve të Kongresit nga qeveritarët e Durrësit u bë për të krijuar në vend një atmosferë frike e terrori, prandaj organizuan vrasjen e tij me atentat më 15 janar 1920. E megjithatë emri i lidhet me historinë e shtetformimit shqiptar dhe nderimi i tij u bë që në hapje të Kongresit të Lusnjës. Kongresi u inicua fillimisht nga “Komiteti i Kosovës”, si dhe me mbështetjen e shumë personaliteteve si Aqif Pashë Elbasani, Abdi Bej Toptani, Iliaz Vrioni etj, ndërkohë që mbledhjen e parë e hapi Ferid Vokopola si sekretar i përkohshëm i kongresit. Komisioni që bëri verifikimin e të mandatuarve nga populli konkludoi se delegatët e ardhur nga Prefekturat e Katundaritë si dhe Bashkitë e Shqipërisë nuk ishin shumicë prandaj ndërprenë punimet dhe pritën të sigurohej pjesëmarrja, duke rifilluar punimet më datën 28.1.1920. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, zëvendës/kryetar Soitir Peci, dhe sekretar Ferid Vokopola e Kostaq Kota. Kongresi i Lushnjes, i siguroi vendit sovranitetin politik, për të hedhur themelet e shtetit të ri të së drejtës, sepse më 28 nëntor 1912, i themeluan mencurisht vetë institucionet politike e juridike të shtetit. Delegatet pas nje kompromisi politik krijuan “Këshillin e Naltë të shtetit” me 4 anëtarë me funksionet e kryetarit të shtetit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura bazuar në normat me fuqi kushtetutese që u emërtuan Bazat e Kanunores së Këshillit të Naltë të Shtetit, që ishin: Aqif Pashë Elbasani si bektashi, Abdi Bej Toptani si myslyman sunit, Luigj Bumci si perfaqesues i katolikeve dhe Dr Mihal Turtulli si orthodoks. U krijua gjithashtu Këshilli i Kombit, që më vonë u quajt Këshilli Kombëtar, por dhe Parlament, me 37 anetarë, me kryetar Kadiun/gjykatësin Xhemal Naipi. Delegatët e Kongresit të Lushnjës vendosen qe Luigj Bumci dhe Dr. Mihal Turtulli, të cilët ishin ministra të qeverisë së Durrësit, të qëndronin delegatë të Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Forma e qeverisjes së Shqipërisë do të përcaktohej nga zgjedhjet që do bëheshin për Asamblenë Kushtetutese të shtetit, sapo të definoheshin përfundimisht kufijtë e Shqipërisë, por edhe të bëhej njohja ndërkombëtare, ku me rëndësi ka roli i zotit Eshref Frashëri. Fakt është se elita intelektuale dhe politike e Shqipërisë abrogoi de facto Vendimin e Konferencës Ndërkombëtare të Londrës, që e shpalli “Shqipërinë Principatë!”. Kryetari i Asamblese Aqif Pashë Elbasani i dërgoi Konferencës së Paqes ne Paris nje memorandum duke i paralajmeruar se nuk do te njihnin asnje mandat nderkombetar mbi Shqiperine, duke rikthyer sovranitetin e mohuar më 1912 me Kuvendin e Vlorës. Kongresi i Lushnjës u organizua pa nderhyrjen e faktorit nderkombetar. Këshilli kombetar eshte parlamenti i parë i Shqipërisë, i cili i filloi punimet në mars 1920 në Tiranë si kryeqytet i ri. Vlerë e para një shekulli është Kryesimi kolektiv i shtetit, që ishte Këshilli i Naltë,që ishte njëherësh organ kolegjal drejtimit të shtetit, përfshi edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura e Xhandarmërisë. Ministër i Luftës Gjeneral Ali Riza Kolonja, Shef i Shtabit Madhnuer Major Ali Shefqet Shkupi, Komandant i Xhandarmërisë Major Mustafa Aranitasi. Ushtria do përbëhej nga 324 oficerë, 745 nënoficerë, 6235 ushtarë, për nevoja transporti 334 kuaj…etj). Kongresi i Lushnjës ishte një rithemelim i shtetit dhe demonstroi në teori dhe praktikë pavarësinë e dytë të Shqipërisë si dhe vuri gurin e parë në themelet e parlamentarizmit shqiptar. Ishte një institucion i shpëtimit të shtetit shqiptar, me orientim europianist, që diti të zbatonte vullnetin e popullit duke i dhënë vlerë ekzistencës së mëtejshëm të kombit dhe rikonfirmimit të shtetit si instrument fuqie në një hapësirë gjeostrategjike të trazuar. Europa me Kongresin e Lushnjës njohën shqiptarët si fuqi njerëzore e potenciale intelektuale vetqeverisëse, sepse një kapiten qoftë ai edhe gjerman, nuk mundi të “shpëtonte” Shqipërinë në gjashtë muajt e mbretërimit në prag të kompleksitetit të pamëshirshëm të Luftës së Parë Botërore. Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915, ose traktati i zi i asgjësimit të një copëz Shqipërie do të ishte shija më e hidhur për Shqipërinë e Shqiptarët tre vjet pas Pavarësisë së parë të Ismail Bej Vlorës; ndërsa Kongresi i Durrësit më 1918 ishte një përpjekje për të ndezur shpresat e fikura të shqiptarëve dhe riafirmimin e shtetit halleshumë, të pa zë në Europë. SHBA dhe Presidenti Uillson, në Versajën e 1919-tës si dhe 14 pikat e shpalosura në Konferencën e Paqes u bënë dielli që shndriti për kombet e vegjël, prandaj zgjimi i 21 janarit 1920, në Lushnjë ishte shpresa e shpresave, që rimblodhi firmëtarët e para tetë viteve, të ta rithoshin fjalën e tyre . Ishin emrat që kombi mund e duhet t’i skalitë si yje që do ndricojnë përherë për intelektualizmin, vizionin e atdhetarinë patriote. Ata erdhën në Lushnjë nga të gjitha trevat shqiptare si: Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peci, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi, etj. Ata u bënë legjitimë në “Këshillin e Naltë, në Qeveri dhe në parlament/Senat/ Këshill Kombëtar. Shqiptarët e mencur të Kongresit të Lushnjës sollën erën e re të ndryshimit dhe bindën botën në vetëm 65 ditë për t’u pranuar në Lidhjen e Kombeve. Kongresi me qeverinë e Sulejman Delvinës, tashmë të spektrit gjithëkombëtar, dhe plotësisht të besueshme, ku përfshihej Ministria e Brendshme, Ministria e Luftës etj., solli një vision të ri qeverisës duke ofruar siguri shtetërore të brendshme dhe të jashtme. Kongresi i Lushnjës konfirmoi Shqipërinë juridike, politike, administrative, ushtarake….ku hartoi dhe miratoi “kushtetutën e parë që ishte statuti i Lushnjës, për funksionimin e gjithë pushteteve dhe “shtëpinë”/ rezidencën e organeve shtetërore e çvendosi në Tiranën-kryeqytet 100 vjeçar. Kongresi, i foli qeverive dhe vendeve të planetit tonë e sidomos Konferencës së Paqes, për njohje të shtetit shqiptar, duke i dhënë besën për të jetuar në paqe e harmoni me të gjithë popujt e tjerë: “Shqipnia nuk ka tjetër pretendim veçse me zanë nji vend në Gadishullin Ballkanik, tue i dhanë fund mizerjes, për të gëzue nji jetë në paqe e në harmoni me shtetet fqinjë. …Shqiptarët janë gati me ba çdo lloji sakrifice, edhe me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne kundër çdo veprimi që mundohet me vu në rrezik pavarësinë e Shqipnisë e të tansisë tokësore” – thuhej në telegramin e Kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasanit drejtuar Fuqive të Mëdha. Qeveria shqiptare e Kongresit të Lushnjës trokiti në Lidhjen e Kombeve, më 12 tetor 1920 me kërkesë zyrtare. Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 si antare të Lidhjes së Kombeve, duke e futor Shqipërinë “në gjirin Europian”, aty ku sot ka vite që ropatet, edhe pse Europianizmi nuk na ka munguar asnjëherë. Kongresistët e Lushnjës ishin njësh me idenë e popullit për shpëtim duke mos njohur tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës, duke u bërë e ligjshme dhe legjitime me vullneti të brendshëm, duke hapur një faqe të re vetëm me qeverisje shqiptare, me pamje krejtësisht të re në opinionin politik ndërkombëtar duke i dhënë përparësi integritetit të vendit dhe funksionimit sipas parimeve të shtetformimit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Kongresi i Lushnjës u bë gur kilometrik në kolonat historike të shtetformimit të shqiptarëve dhe rikonfirmoi identitetin kombëtar shqiptar në realitetet e reja europiane e botërore. Zyrtarizoi shtetin plotësisht në kufijtë e “Shqipërisë londineze” që do të sillte qëndrueshmëri e besueshmëri brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ja edhe një pjesëz nga “Himni i Kongresit të Lushnjës: “Shpresa humbi, atdheu ty po të thërret,/Të shpëtosh nga kjo natë,/Bëhu i zoti në do të rrosh në jetë,/Armikut jepi datë….refreni: “Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell,/Shqipëria lidhi besë.,/Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell,/Për ty, o i larti Kongres”. Së fundi Kongresi i Lushnjës me organizmat institucionalë shtetërorë që krijoi dhe Lufta e Vlorës, e 1920-tës “shpallën” para Europës dhe botës pavarësinë e harruar të Shqipërisë (pavarësinë e 28 nëntorit 1912), dhe vulosën me gjak sovranitetin e pakufizuar të vendit tonë, prandaj me të drejtë historiografia shqiptare i ka emërtuar “Pavarësia e dytë shqiptare”. Nder, respekt e mirënjohje për burrat e kombit shqiptar, që çelën rrugën e perspektivës së shtetit realisht të pavarur dhe indipedent!

more recommended stories

loading...