Pse e fshiu Bild artikullin mbi PD?

Nga Indrit Vokshi

Gazeta gjermane Bild publikoi një artikull ku shkruhej se Partia Demokratike ka paguar para për lobim përmes një lidhjeje me Rusinë. Ky artikull pa emër, sepse asnjë gazetar nuk mori përsipër të shënonte emrin poshtë një paçavureje, eksitoi portalet dhe individët anti-PD të cilët menduan se meqë artikullin e ka publikuar Bild, demokratët tanimë janë shah-mat, sepse kësaj gazete nuk munden t’i dalin kundër e ta mohojnë. Bild u bë gazetë e njohur në Shqipëri kur publikoi përgjimet e Dibrës në të cilat qeveria Rama dëgjohej duke organizuar dhe celebruar blerjen e zgjedhjeve – përgjime të cilat janë harruar. Prandaj është menduar se një publikim i tillë do të ishte goditje për Partinë Demokratike. Fabula: “Ja, e thotë Bild që PD ka lidhje me Rusinë, ju smund të thoni nuk është e vërtet, sepse juve iu pëlqeu Bild kur publikoi përgjimet”. Me ketë skemë u tentua të kapen në kurth demokratët dhe të evokohej “nevoja” që Edi Rama duhet të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, pasi kryetari i opozitës që kërkon ta zëvëndësojë, është rus. Skemë e sofistikuar? Përkundrazi, skemë e trashë. Artikulli i botuar në Bild nuk jep asnjë provë, asgjë që të bind. Janë thjesht të thënat dhe të stërthënat kundër PD në vitin 2018, tashmë të rithëna, pa asnjë bazë, vetëm për të shpërqëndruar vëmendjen duke organizuar fushatë sulmi e njollosjeje kundër Partisë Demokratike. Diferenca mes rastit të përgjimeve të Dibrës dhe artikullit mbi “lobimin rus të PD-së”, në thonjëza, është diferencë shumë e thellë, ka shumë dallim dhe smund të ketë kurrë krahasim. Në teorinë e provave në procedurën juridike, prova përkufizohet. Çfarë quajmë ne provë? Fleta e bardhë A4 mbi të cilën ne shkruajmë, a mund të quhet ajo prova? Jo. Provë konsiderohet informacioni që shkruhet mbi fletë, jo fleta si fletë. Nëse informacioni vjen me email apo transmetohet në televizion, përsëri informacioni konsiderohet prova, jo emaili e as televizori. Në ketë kuptim, duke marrë shembull përkufizimin shkencor juridik mbi provën dhe jo duke u bazuar në llafe pazari, ne mund të themi se gazeta gjermane Bildi nuk është provë. Në rastin e përgjimeve të Dibrës, prova nuk ishte Bildi vetë, prova ishte zëri i Saimir Tahirit, Damian Gjiknurit, Agës, Lalës dhe Edi Ramës. Këta ishin provat, komunikimi i tyre ishte prova. Ndaj vetë Bild si gazetë nuk përbën provë në vetvete që ne të deklarojmë “Ja, meqë e publikoi Bild, ne duhet ta besojmë qorrazi”. Bild është si fleta A4, është si emaili e si televizori; shërben për të na e paraqitur ne provën. Kështu, në ketë rast nuk ka vend për tu diskutuar “E tha Bildi, se tha Bildi”, sepse nuk ka rëndësi a e publikoi Bildi apo ndonjë gazetë tjetër. E nëse në rastin e Dibrës Bildi paraqiti provat, po në ketë “rastin e Rusisë”, çfarë provash na ka paraqitur? Asgjë. Është paraqitur artikulli i Mother Jones i vitit 2018. Ndërsa sot shikojmë se gazeta Bild e ka fshirë ketë artikull. Artikulli nuk gjendet më në faqen e Bild. Pse? Cila është arsyeja pse gazeta Bild mban të publikuar vetëm disa orë një artikull të tillë dhe pastaj e fshin? A ka qenë ndonjë mik shqiptar i Edi Ramës i cili ka paguar që një shkrim i tillë të publikohet vetëm disa orë sepse aq fuqi lobuese ka? A është ndërgjegjësuar redaksia e Bild se shkrimi ishte manipulim dhe e ka hequr për të mos i ulur prestigjin gazetës? Nuk e dimë. Ne dimë vetëm që shkrimi u hoq dhe portalet anti-PD mbetën pa material. U duhet të presin çfarë do të gatuajë Rama nesër për ta hedhur në qarkullim që ta shpërndajnë e ta zmadhojnë për t’i thënë opinionit publik se fajin e ka Partia Demokratike. Ndërkohë Shqipëria shpopullohet. Shumica e familjeve ka më pak para, blejnë më pak ushqime, kanë më pak mundësi biznesi dhe fitimi, janë më të depresionuara. Paratë e tatim-taksave tyre shkojnë për rroga administrate, për tendera për kompanitë e vëllezërve të deputetëve të Edi Ramës. Shkojnë për konçesione, miliona, tek miqt dhe tek kompanitë e përbashkëta që kanë krijuar për të zhvatur vendin. Po e mbyt Shqipërinë. Ama na thuhet se fajin e ka Opozita! Duhet t’i lusim këto portale e këta individë të hetojnë mbi arsyen e vërtet pse Bild e hoqi shkrimin.