Njihuni me Ksenobotët, të porsaardhurit!


Nga Selim Kurti

Shkencëtarët e quajnë robot i gjallë ose ksenobot, sipas amfibit Xenopus laevis, nga i cili u morën qelizat.
Forma me jetë tërësisht të reja, krijuar jashtë qelizave.
Më të vogla se 1 mm, të afta të ecin, notojnë e mbijetojnë pa ushqim për javë të tëra dhe të punojnë në grup.

Qelizat e marra nga embrioni, u transformuan në një makinë që mund të programohet të punojë siç duam ne.

Megjithëse përmban setin e plotë të gjenomës së ksenopusit, ksenobotet nuk janë amfibë.

Është hera e parë që njerëzimi krijon makina tërësisht biologjike nga themelet, thonë autorët.

Ksenobotet mund t’i përdorim për të shpërndarë ilaçet anekënd qelizave e indeve të trupit, për të kruajtur “zmërçin” yndyror të arterieve, për të pastruar oqeanet nga ndotja, për të kërkuar për substanca të rrezikshme apo për mbetje radioaktive.

Jo vetëm kaq: ata janë të aftë të ripërtërijnë veten, të ndahen në pjesë e të ribashkohen e për më tepër, nëse ata dëmtohen, janë programuar që të “hanë” veten, pra të vetëasgjësohen. Do të thotë se janë të biodegradueshëm.

Ata s’janë as robote tradicionalë, as gjallesa të zakonshme, por një tip i ri artefakti: organizma të gjallë të programueshëm.

Krijesat e reja u dizenjuan duke përdorur një superkompjuter dhe më pas u ndërtuan nga biologët.

Kjo arritje është një hap i rëndësishëm për t’i kuptuar më mirë sistemet e gjalla: si vendosin ata se si të sillen dhe nëse kjo sjellje mund e si të ndryshohet.
Duke na lejuar të kuptojmë më mirë pasojat.

Mjekësisë rigjeneruese do t’i mundësojë ndërtimin e pjesëve anatomike ose nxitjen e ripërtëritjes qelizore.