Lamtumira për Xhevdet Ferrin| Familjarët nuk pranuan t’i zhvillonin në Ministrinë e Kulturës, e kishim amanet

Ditën e sotme është bërë përcjellja për në banesën e fundit e aktorit të njohur Xhevdet Ferri. Aktori i cili vuante nga një sëmundje e pashërueshme u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 59 vjeçare.

Siç shihet dhe në pamjet e transmetuara nga Fax News dhjetra familjarë kanë kryer vizitë në familjen e aktorit, dhe kanë shoqëruar trupin e tij për tu prehur drejt banesës së fundit.

Familjarët e aktorit nuk kanë pranuar për të kryer homazhet në Ministrinë e Kulturës duke i zhvilluar ato në shtëpinë e të ndjerit që ndodhet në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë.

Mësohet se ka qenë vetë amaneti i aktorit, i cili nuk ka dashur të përcillet për në banesën e fundit në institucione shtetërore, por u ka lënë fjalë familjarëve të tij, që homazhet të jenë intime dhe private.

Ferri la pas bashkëshorten dhe një vajzë, ndërsa pak kohë më parë ishte bërë dhe gjysh për herë të parë, por sëmundja e rëndë bëri që të largohej para kohe.

Po kush ishte Xhevdet Ferri?

Në 1982 diplomohet në Akademinë e Arteve dega e dramës dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademive. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Në teatër ka interpretuar pak role, por suksesin me te madh si aktor ai e ka arritur ne filmin artistik (rreth 13 role).

Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit deputon në vitin 1980 ne “Skëterrë ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.

5 vjet më vonë në vitin 1985 do të bëhet i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës se Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një dite”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, me 1986, bie ne sy cilësi te tjera interpretive si natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia shoqëruar nga karakteri drejtpërdrejt i të vepruarit. U dallua për një individualitet të veçantë aktoresk.

Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe ai i e Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri ne “Vitet e pritjes” (1990); Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Është specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i PD-se në Kuvendin popullor. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe Kryetari i pare i kësaj Shoqate