A u poshtërua PD me uljen tryezën e Reformës?

Nga Indrit Vokshi

Në telefonin tim mbërriti një njoftim i cili edhe më nxiti t’i shkruaj këto fjali. Njoftimi ishte artikull i portalit Lapsi.al me titull: “Zbythet PD, ulet në tryezën e reformës..”. Ulja e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore po u paraqitet shqiptarëve si dobësi e opozitës në raport me pushtetin, si poshtërim i opozitës, si dorëzim e si kapitullim. Kjo lypset shtjelluar dhe sqaruar që njerëzit të mos bien viktima të manipulimit.

E para, polarizimi, konfliktualizimi dhe gati revolucionarizimi i situatës në mardhëniet opozitë-pozitë përgjatë vitit 2019, lë shteg që kjo ulje në tryezë të paraqitet si skandaloze, pa pasur asgjë skandaloze. Sepse emocionet u ndezën shumë dhe, në politikë, shumë parti e liderë janë të dënuar që pas emocioneve të nxehta që nxisin të menaxhojnë arsyen e ftohtë dhe ta bëjnë arsyen e ftohtë të pranueshme për mbështetësit dhe për kureshtarët. Nuk munden t’i shmangen kësaj fature. Ulja në tryezë u jep mundësinë propaganduesve anti-opozitë që ta paraqesin ketë që ndodhi sikur Hamasi dhe Hezbollahu janë ulur në bisedime me Izraelin dhe, kjo quhet tradhëti, nënshtrim kundrejt Izraelit dhe, fundi i botës. Sepse ata luajnë me emocionet, jo me arsyen e as me taktikën politike.

E vërteta nuk është kështu dhe duhet kuptuar pa paragjykime e pa tendenca. Për ketë shteg për abuzim që krijohet nga ulja në tryezë, pa dyshim ka kontribut edhe vetë opozita e cila përgjatë gjithë vitit 2019 e ka paraqitur Edi Ramën si e keqja universale me të cilin nuk mund të bisedohet por vetëm duhet të luftohet.

Megjithatë për të qenë krejt të sinqert, paraqitja e Ramës si e keqe universale ka qenë e vetmja rrugë për opozitën. Le të na thotë dikush, çfarë duhej të bënte opozita përballë përgjimeve të Dibrës veçse ta paraqiste Edi Ramën si skenarist të shkatërrimit me paramendim të zgjedhjeve? Të mos e harrojmë, shkatërrim zgjedhjesh me paramendim, jo thjesht incident i kokënxehtëve gjatë procesit zgjedhor. A mos duhej të rrinte urtë opozita? Ose çfarë duhej të bënte opozita përballë dhunës së hapur diktatoriale mbi institucionet dhe mbylljes së çdo hapsire për bashkëjetese politike siç i takon një republike, përveçse të protestonte duke djegur mandatet? Sepse opinioni shqiptar e ndërkombëtar, kishin mbërritur në një pikë ku ishin katandisur si popujt primitivë të cilët nuk kuptojnë me fjalë por duhet tu paraqesësh simbole dhe figura tronditëse e të kuptueshme për ta. Pushteti arriti deri aty sa zgjodhi prokurorin e Përgjithshëm në mënyrë të paligjshme, brenda në parlament, në prani të opozitës, duke e poshtëruar keqazi opozitën e pafuqishme për ta ndaluar atë akt. Askush prej shqiptarëve dhe prej ndërkombëtarëve nuk u alarmua nga ajo ndodhi, madje mjeti i propagandës e paraqiti si “përplasje rutinë pozitë-opozitë”. Si mundet një mazhorancë ta zgjedhë kryeprokurorin në mënyrë të paligjshme? Ku është parë kjo përveçse tek Lenini në 1917 i cili futi bolshevikët në parlament dhe e shkriu parlamentin me dhunë?

Ndaj opozita nuk kishte rrugë tjetër veç protestës ekstreme me dorëzim mandatesh. Përballë një akti ekstrem leninist, opozita duhej të përgjigjej me një akt ekstrem e propocional. Smund të përgjigjej ndryshe, smundej të trondiste ndryshe.

Sot kemi tryezë opozitë-pozitë.

Tryeza padyshim është hap mbrapa nga ana e opozitës. Dhe pyetja shtrohet; a lejohet në politikë të bësh hapa mbrapa? Nëse flasim për politikë, po. Kush thotë se jo, gabon. Synimi i opozitës kudo në glob është shndërrimi në qeveri dhe aplikimi i politikave të saj. Për kalkulime të ardhjes në qeverisje, opozita lejohet të bëjë hapa para dhe hapa mbrapa në funksion të qëllimit të saj. Të mos e trajtojmë politikën si gjakmarrje kanunore, madje si anën krejt vulgare të realitetit kanunor, realitet ku çdo hap mbrapa quhej poshtërim historik për fisin. Nëse flasim duke u bazuar tek mllefi legjitim, tek romantizmi e tek pasioni politik, tek gazi lotësjellës që kemi thithur të gjithë ne, tek strapacimi ynë dhe tek ironizimi e cinizmi i papagajve të pushtetit kundrejt nesh, ska diskutim, nuk lejohen hapa mbrapa, duhet vetëm hyxhym, revansh, hakmarrje; opozita duhet t’i vendosë minat kryeministrisë.

Mirëpo politika nuk është kjo dhe nuk është kështu, po të duam të jemi të ftohtë dhe jemi politikanë. Mandej duhet të pyesim veten a e pranon shoqëria shqiptare vendosjen e minave dhe klasifikimin e opozitës si organizatë revolucionare anti-sistem? Jo. Prandaj hakmarrja e vetme mbetet fitorja e zgjedhjeve. Të gjithë së bashku duhet të hakmerremi duke fituar zgjedhjet. Për gazin, për sharjet, për talljet, për ironizimin, për cinizmin, duhet të hakmerremi me fitore, jo me mina – paçka se kjo qeveri i meriton minat. Në mes të këtij diskutimi për uljen e opozitës në tryezë ka shumë rëndësi të kuptohet se djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjdhjeve lokale nuk ishin akte përfundimtare largimi nga sistemi e nga institucionet e republikës – opozita nuk ka deklaruar asnjëherë se është larguar përfundimisht. Ato akte nuk ishin ikje për të mos u kthyer kurrë. Ishin thjesht akte proteste ekstreme, kundrejt një pushteti ekstremist. Edhe me pushtetet ekstremiste negociohet. Madje nëse dështojnë negociatat mund të kalohet në luftë përsëri dhe, përsëri pas luftës mund të ulesh sërish në negociata. Kjo është politika kudo në botë, kështu funksionon jeta njerëzore. Kush nuk kupton ketë, nuk ka kuptuar asgjë nga politika ose e ka kuptuar por synon ta shfrytëzojë uljen në tryezë për të goditur dhe dobësuar opozitën në sytë e opinionit publik.

Prej analistëve, prej gazetarëve dhe prej komentatorëve pritet që t’i shërbejnë edukimit politik e demokratik të njerëzve duke u treguar e duke u sqaruar rregullat e politikës, dialogun, tryezën, marrëveshjen, si dhe raportin e këtyre me konfliktin dhe me luftën politike.

Nuk pritet prej analistëve dhe gazetarëve që të sillen si pleq të mbrapshtë kanunorë. Pse them pleq të mbrapshtë kanunorë? Sepse në krahinat e veriu kur ndodhnin vrasje dhe fiset në hasmëri tentonin negociata, kanë qenë disa ngatërrestarë që predikonin të mos uleshin në bisedime me fisin tjetër, sepse sipas tyre ulja në bisedime ulte reputacionin e fisit të tyre në sytë e opinionit publik të kohës. Ka ndodhur në një rast, kur fisi donte të ulej në bisedime, u ngrit njëri nga këta persona dhe deklaroi se nuk e fal as nuk ulet me fisin armik. Atëherë fisi i tha; shumë mirë, ti që nuk do bisedime por do luftë, ti do ta vrasësh personin e fisit tjetër, ndërsa ne të premtojmë se do të t’i mbajmë me bukë e me veshmbathje fëmijët dhe gruan nëse vritesh ose burgosesh. Jo – u përgjigj zotnia. Atëherë mbyll gojën – iu përgjigjën burrat dhe u ulën në bisedime. Njëlloj edhe me disa sot, paçka se këta nuk janë të veshur me tirqe e nuk kanë lëshuar mustaqe, për të predikuar predikojnë njëlloj. Edhe nuk janë të zotët “ta marrin hakun” e ta përmbysin qeverinë me dhunë vetë, edhe këmbëngulin dhe propagandojnë se bisedimet janë poshtërim për opozitën.

Komentatorë intelektualë me me botëkuptim zakonor të nivelit më radikal, nuk kisha parë. Kjo nuk shkon. Opozita nuk ka hequr dorë nga objektivi për ardhje në qeveri – kjo ka rëndësi. Se po paraqitet sikur opozita u ul he hoqi dorë nga synimi për të fituar zgjedhjet. Jo. Thjesht ka ndërruar taktikë. Nëse analistët dhe komentatorët janë të obsesionuar pas formulës “o përmbysje me dhunë o ndryshe ska”, le ta aplikojë vetë atë formulë ose tia ofrojnë mbështetjen e tyre një partie e cila synon rrëzimin e qevrisë vetëm me dhunë. Kjo qeveri do të mposhtet me zgjedhje dhe kjo opozitë do të shndërrohet në qeveri me zgjedhje. E gjithë lufta politike zhvillohet për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt dhe me standarte e garanci sa më të aplikueshme, jo për ta përmbysur qeverinë me dhunë. Kush mendon se e gjithë beteja e vitit 2019 është zhvilluar për rrëzim me dhunë, është keqkuptuar rëndshëm, sepse opozita për gjashtë orë mundej ta rrëzonte me dhunë qeverinë. Propaganda e llojit “opozita bëri një vit luftë për tu kthyer aty ku ishte, në tryezë” është manipulim sade. Opozita sensibilizoi shqiptarë e joshqiptarë. Opozita siguroi nëntë kushte në Bundestag dhe po përpiqet të forcojë arbitrimin dhe monitorimin. Opozita kontribuoi në diskretimin e fasadës së pushtetit. Opozita me dhjetë protestat e mëdha dëshmoi se ka mbështetje më shumë se çdo opozitë në këto 20 vitet e fundit sepse është opozitë e aftë për të mbushur bulevardin pa paguar protestues me njëzetmijë lekësha siç paguante opozita “Rama” në vitet 2006-2011. Problemet e opozitës janë tjetërkund. Janë tek guximi për të mbajtur disa qëndrime të forta për disa çështje. Janë tek disa personat jokarizmatikë e josimpatikë (edhe pse jo kriminelë) që ajo ka promovuar. Janë tek përkthimi sa më i kuptueshëm i realitetit në program. Në këto drejtime, po, ka vend për tu kritikuar opozita dhe ka nevojë për tu përmirësuar. Jo pse u ul në bisedime. Nuk është PD as Hamasi e as Hezbollahu. Për më tepër, Partia Demokratike nuk është ulur në tryezë me kërkesën e Edi Ramës dhe duke besuar tek ndershmëria e Edi Ramës por është ulur në tryezë duke pasur garant një shtet të fuqishëm të Bashkimit Europian. Prandaj e gjithë kryqëzata kundër opozitës duhet të ndalojë sepse në mos qoftë kryqëzatë e pamençur, është kryqëzatë e orkestruar për të goditur opozitën duke ia demoralizuar mbështetësit dhe simpatizantët. Unë që po i shkruaj këto fjali, si shumë demokratë të tjerë, prej 7 vitesh jam aktivisht në të gjitha aksionet e Partisë Demokratike dhe sakrificat e demokratëve shqiptarë. E quaj veten demokrat prej lindjes, kam marrë pjesë për herë të parë në një takim të PD-së në vitin 2003 në moshën 14 vjeç. Nuk jam as klient i kryetarit Lulzim Basha në parti, as katapultim, as shërbëtor, as më ka rekomanduar ndonjë biznesmen. Jam natyrshëm aty ku duhet të jem, në partinë time. E po të jetë për mllef e për djegie pasioni, më djeg pasioni e më bren inati më shumë se shumkënd, se pse nuk e kemi përmbysur Edi Ramën qysh në vitin 2014. Për dëshirë do e kisha përmbysur 100 herë, me dhunë, me revoltë, sepse e meriton për sa të këqija i ka bërë këtij kombi. Mirëpo për politikë nuk mjafton vetëm dëshira, duhen edhe pak mend.