A MUND TE TE PYES PER DICKA?

Nga Fatmir Gjoni

Në kohën e ndryshimit, internetit dhe globalizimit njerëzit presin një qëllim a synim të qartë nga qeveritë, matanë lojës politike. Qeveritë shqiptare kanë 30 vjet që e kanë harruar rëndësinë e një synimi që mban popullin të lidhur me atdheun e tyre e që jep shpresë.
A ka ndonjë synim a objektiv ky vend?
Cili është synimi që qeveritë kanë kur marrin pushtetin. Pse u jepet dhe për çfarë kanë të drejtë ta përdorin atë? A kanë një synim këta njerëz? A i lidh gjë ata me vendin e tyre, me komunitetin, popullatën, të ardhmen? A e kemi vendin, të ardhmen sëbashku apo jo?
Pikëpyetja më e madhe ndër njerëz sot është “shpresa” dhe e “ ardhmja”. Duan të gjejnë një pikësynim a objektiv për të cilin të luftojnë. Diçka për të cilën të jenë të gatshëm të derdhin mundin e tyre bashkë me të ardhurat që nxjerrin.
Por jemi të gjithë në udhëkryq: A besojmë dot se me përpjekjet tona do mund ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mire për vete dhe për femijët e brezat e ardhshëm? Kur mund të fillojë e deri kur mund ta bëjmë?
Shqiptarët janë aq të lodhur se kur ngre këtë pyejte duket sikur tallesh me ta. Por realisht kjo është një pyetje serioze që duhet t’ja bëjmë vetes dhe njëri-tjetrit. Sa më pak e marrim seriozisht aq më shumë përkeqësohet situata në Shqipëri.
Nëse nuk pyesim veten, nëse nuk pyesim ata që marrin vendime e nëse nuk kërkojmë llogari, të gjithë do mbetemi përgjegjës se pse e lame Shqipërinë të rrëshqiste në humnerë.
Sot kam vendosur të pyes:
– Pse gjendemi sot në këtë situate ku jemi? Pse dështuam të marrim parasysh mbrojtjen e gjithesise kombëtare. Pse dështuam në promovimin e vlerave, të të aftëve, të të mires?

– Kush dhe si po e menaxhon sot ekonominë e vendit? Si duhet të shpërndahen të ardhurat që të arrijmë të mbajmë “trurin” e vendit të mos ikë? Si duhen shpërndarë të ardhurat që të rinjtë të arrijnë të vënë në zbatim shpirtin e tyre sipërmarrës? Si duhen shpërndarë të ardhurat që nga qarkullimi i tyre të shtohet vlerë? Si duhet te shperndahen te ardhurat qe te gjithe te jemi pak me mire?

– Si duhet të sillemi me biznesin e si duhet biznesi të sillet me shtetin që të dyja palët të përfitojnë e të rriten sëbashku?

– Si mund ta kthejmë besimin e të ndalojmë shpopullimin e vendit?

– Kur do mundem unë të votoj për veten time, për të ardhmen time e te mos kem frike?

– Si mund ta kemi Shqipërinë të perbashkët, me të njëjta të drejta e të njëjta benefite?

Tek e fundit: Si mund të jem pjesë e këtij vendi? Të mos ndjehem as i tepërt, as i tallur, as i pa vlerë e as i nëpërkëmbur?