Kulti i individit, si Rama “vodhi” një citat të Azem Hajdarin

Nga Indrit Vokshi

Citatet e shokut Enver, shkruheshin në muret e pallateve dhe në muret e stallave të lopëve, që populli dhe lopët t’i shihnin dhe të bëheshin më të mençur. Sot në kohën ku po jetojmë është shkruar në mur një shprehje e Edi Ramës, shoqëruar me portretin e tij të pikturuar. Ketë shprehjen e ka thënë Azem Hajdari në vitin 1998 në një intervistë me Milaim Zekën, si konstatim për çfarë po ndodhte me Gjykatën Kushtetuese. Rama e ka marrë dhe e ka paraqitur sikur e ka shpikur vetë dhe, na e vizatojnë në mure “për njerëzit dhe lopët”. Nuk është ndonjë shprehje kushediseçfarë. Është konstatim poetik. Edhe Azemi do e ketë lexuar diku e as i ka shkuar mendja as Azemit vetë dhe as të tjerëve pas Azemit që të pikturojnë figurën e Azem Hajdarit në mur shoqëruar me ketë shprehje. Kurse Ramës po. Rama është klloun i lezetshëm që vuan prej dëshirës që të tjerët ta konsiderojnë strateg të madh. Kjo ndodhi veç vlen për ta kuptuar si është zyrtarizuar banaliteti në Shqipëri, si është ngritur kaq lart mediokriteti dhe është kthyer në filozofi sunduese. Rama na thotë shprehje të mëdha mbi arsyen dhe forcën. Ky i cili të vetmin shpëtim për karrierën e tij e pa dhe e gjeti tek forca e paarsyeshme duke kandiduar sadistë në listat e tij, na flet për forcën e arsyes. Do kthehemi siç ishim, si Shqipëria e para 1990 dhe si ato vendet e Afrikës dhe Amerikës Latine ku qyteti është i varfër e i papastruar, mirëpo në murin e ndërtesës shihet portreti i diktatorit përkatës, shoqëruar me një shprehje të tij. Kemi harruar se duhet të jemi vend serioz, jo nga ato vende me të cilat njerëzit qeshin. Kush po na e prish imazhin para botës?