Mis Trejsi Sejdini, nga lidhja me narkotrafikantin tek “Ndihem si Toni Montana”

“Miss Universe Albania”, Trejsi Sejdini, e njohur si “gangsterja e Elbasanit”, është rikthyer në vëmendjen e ndjekësve të saj me një set fotosh hot që ka postuar në “Instagram”, ku shfaqet shumë provokuese këtë fundvit.

E kuqja mbizotëron në veshjet e saj, ndërkohë që bie në sy luksi i makinave pranë të cilave pozon si një bombë seksi.

“Ndihem si Toni Montana”, shkruan Trejsi poshtë një prej pozave të saj në mesnatë, ndërkohë që i dashuri i saj është në kërkim si kokë e grupit të kokainës “Duka” në Tiranë, i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani. Pasi ra në pranga bashkë me tre persona të tjerë si kokë e grupit të kokainës “Duka”, mediat shkruan se i dashuri ishte liruar, që do të thoshte se Trejsi i rikthehej jetës së lumtur me udhëtime dhe blerje super të shtrenjta që ai i bënte.

Për të festuar daljen nga burgu të të dashurit, ajo realizoi disa foto të nxehta ku mori shumë komente për veshjet intime që kishte zgjedhur e deri te linjat e kuruara. Albumi i fotografive dhe videoja që postoi në “Instagram” mori menjëherë mijëra pëlqime dhe qindra komente nga pozitivet e deri te kritiket.

Lidhur me këto komente, “Miss Universe Albania” vendosi që të mos reagonte, duke shijuar vetëm anën pozitive të tyre. Të njëjtën gjë bëri edhe me komentet që iu bënë për daljen nga burgu të të dashurit pas një operacioni të bujshëm, duke mos thënë asgjë në lidhje me faktin që u komentua edhe ajo në shkrimet për këtë çështje.

Në dosjen e ardhur nga Gjermania, me kod “ZF/13-442 AL” dhe në 7 raportet e SHISH-it për vitin 2018, në skedën “Leonard Duka dhe Grupi”, u bashkëngjit edhe emri Trejsi Sejdini si e dashura e tij, pjesë përfituese e trafikut të drogës, faktuar kjo lidhje e të dyve edhe me një foto të publikuar në “Instagram” nga vetë “gangsterja e Elbasanit” ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 2019.


ARSYEJA PSE TREJSI SEJDINI E IDENTIFIKON VETEN ME ZOTËRUESIN E FUQISHËM TË DROGËS

Ndërkohë që i dashuri i saj është ende në kërkim, Trejsi vazhdon ta shijojë jetën si më parë dhe postojë foto gjithmonë e më të nxehta, ku ngacmon me statuset provokuese si ky i tipit “Ndihem si Toni Montana”.

Për të bërë një paralelizëm të deklaratës që Trejsi ka bërë me dorën e saj, po ju rikujtojmë historinë e Toni Montanës e zhvilluar në vitin 1983. Një emigrant kuban, i cili arrin të bëhet një zotërues i fuqishëm i drogës, ka arritur të jetë një nga filmat ikonë të viteve ’80.

Është shumë e vështirë të gjesh dikë sot që nuk e ka parë këtë film apo të mos ketë fiksuar batutat e tij të njohura. “Universal Studios”, një nga studiot më të mëdha të filmit në Hollivud, ka bërë të ditur se 32 vjet pas publikimit të filmit legjendar “Scarface”, po mendohet për një rikthim të tij.

Në rolin e aktorëve kryesorë, Toni Montana dhe motrës së tij, Gina, do të jenë aktorët e njohur Leo di Caprio dhe Sofia Vergara. Në deklaratën për shtyp, “Universal Studios” zbuluan se kishin planifikuar një xhirim të filmit që në vitin 2002, por nuk kishin arritur të gjenin aktorin që mund t’i përshtatej më shumë Al Pacinos origjinal.

Këtë shprehu drejtori i filmit, Brian de Palma, i cili sqaroi se kur një film është kaq i suksesshëm dhe ka kaq influencë sa “Scarface”, ka një rregull të pashprehur në Hollivud që mund të bësh një rikthim të tij për brezin e ri”.

E shquar për guximin e saj, duket se Trejsi e ka shkruar me vullnet të plotë statusin ku e identifikon veten me zotëruesin e fuqishëm të drogës, Montanën.

FAMA E TREJSIT/ NGA RRAHJET NË PUBLIK, TE KURORA E “MISS UNIVERSE”

Trejsi Sejdini u bë e famshme pas një rrahjeje publike që i bënë një shokut të tyre të gjimnazit në Elbasan, ndërkohë që më pas imazhi publik i saj u ridimensionua pasi u shpall edhe “Miss Universe Albania”.

Trejsi bëri përshtypje në postimet online me detajet nga jeta e saj luksoze, siç ishte Shën Valentini 2019 kur çifti zgjodhi ta shijojë nga Bali. Si asnjëherë më parë, Trejsi publikoi një foto me partnerin e saj, të cilën e fshiu vetëm pas pak minutash.

Për djalin në fjalë u tha se ajo ka një lidhje prej disa vitesh. Në rrethet sociale në Tiranë ai njihet si biznesmen, ndaj dhe të dy e kanë luksin që të bëjnë një jetë përrallore. Çifti prej disa muajsh ka nisur edhe bashkëjetesën në një nga zonat më elitare të Tiranës.

Në lidhje me luksin e saj ajo, së fundmi, në “InstaStory” ka publikuar një foto teksa shihej me një orë mjaft të shtrenjtë në dorë, e cila është e markës, “Audemars Piguet”, që kushton $63,998. Ndërsa në ‘story’-n tjetër, ajo postoi një video ku shihej me të dashurin e saj. ndërsa shkruante: “E dua BAE-n time!”, duke pohuar kështu se ai është mbështetësi dhe siguruesi i të mirave materiale.

NJË MISS JO SI TË TJERAT, TË GJITHA SKANDALET NË PUBLIK TË TREJSI SEJDINIT

Trejsi Sejdini, e cila u bë e njohur pas një videoje ku shfaqej duke rrahur një djalë, tërhoqi në fillimet e saj mjaft fansa në rrjetet sociale.

Vajza simpatike nga Elbasani, pas kësaj buje, mori nofkën “gangsterja” e Elbasanit, edhe pse është vetëm 19 vjeçe dhe hyri në një garë bukurie, ku vajzat që marrin pjesë japin mesazhe paqeje.

E komentuar për pushimet luksoze në Dubai, ajo i mahnit të gjithë me hiret e saj. Po kush është fituesja e “Miss Universe Albania” e vitit të kaluar, që përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Universe” ndërkombëtar? Më parë njihej vetëm nga videoja tek rrihte një djalë në rrugicat e Elbasanit, por për publikun u bë e njohur si e ftuar në “Top Show Magazine”.

Trejsi Sejdini iu rikthye edhe një herë videos së publikuar, rreth 4 vite më parë në rrjetet sociale, ku ajo shfaqej duke goditur një djalë. Ajo tregoi se ishte penduar për atë që kishte bërë, duke i kërkuar falje djalit.

“Kur jam filmuar tek ajo video, unë kam qenë vetëm 13 vjeçe. Por që në moment, i kam kërkuar falje djalit. Realisht më vjen turp kur e shikoj atë video. Por shyqyr që nuk më ka dalë fytyra, që kam fytyrë të vij sot këtu!”, tha Trejsi në panelin e “Top Show”.

Më tej, vajza tregoi se ishte studente, ndërsa merret edhe me modeling. Por nuk zgjati shumë pendesa, pasi ajo iu rikthye zakonit pak kohë më parë. Trejsi u përfshi në një tjetër konflikt në një prej klubeve të Tiranës, tek shihej në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Ajo u filmua teksa debatonte dhe më pas, godiste me këpucë e shishe birre një person tjetër në club, ndërkohë që të tjerë ndërhynin që sherri të mos vijonte më tej. Megjithatë, me hiret e saj, Trejsi ka tërhequr jo pak vëmendjen në klub, çka, me sa duket, ka qenë edhe shkaku i sherrit.

Sa i takon stilit të jetës, ajo njihet si një vajzë pa tabu. Në “Instagramin” e saj, ku ka mbi 60 mijë ndjekës, shihen edhe punët e saj si modele pasi ka marrë pjesë në klipe të ndryshme si modele; kujtojmë “Gang Gang” nga Fero dhe “Xhelozia” nga Mozzik.

Së fundmi, mund të themi se ka çmendur rrjetin me videon e postuar në “Instastory” gjatë një udhëtimi në Milano. E veshur sportive, po me tufa eurosh në duar, ajo jep imazhin e një vajze të pasur dhe që shijon jetën në maksimum.

Ndërkohë, në intervistat që ka dhënë më vonë është shprehur se tashmë ka ndryshuar dhe se dëshiron ta shohin si vajza e mirë dhe sensuale që tërheq vëmendjen me sensualitetin e saj, siç ka bërë me fotot e fundit.

Fundin e vitit e ka pritur me shumë gëzim, duke ndarë me ndjekësit gjithmonë foto sensuale, me të cilat dëshmon se jeta e saj vazhdon normalisht, pavarësisht telasheve me të dashurin.

/Panorama Plus