Përkujtohet Petro Marko, figurë e shquar e letrave shqipe

Shkrimtari dhe studiuesi i madh shqiptar Petro Marko, është kujtuar sërish. Në nder të veprës të së tij personalitete, studiues të letrave shqipe dhe dashamirës të saj, u mblodhën në Muzeun Historik Kombëtar për të ndjekur kumtesat dhe studimet mbi veprën e shkrimtarit.
Namik Dokle, politikan dhe dramaturg, tha se me romanet e tij Petro Marko hyri në elitën e personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.
Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Kombëtar, u shpreh se në faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës.
Jorina Kastrati, studiuese, tha se Petro Marko i takon brezit të shkrimtarëve të letërsisë realiste, sociale, të viteve 30. Ai së bashku me Migjenin, Nonda Buklën, Karl Gurakuqin, Branko Merxhanin, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën, Asdrenin, e shumë të tjerë vunë themelet e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Petro Marko ishte shkrimtar shumë i popullarizuar dhe shumë i lexuar jo vetën në Shqipëri, por kudo në trojet shqiptare. Romanet e tij “Hasta La vista”, “Qyteti i Fundit”, “Ara në mal”, “Shpella e Piratëve”, janë libra të cilët jo vetëm në Shqipërinë e sotme, por edhe në Kosovë u bënë të detyrueshme për tu lexuar në shkolla.