Mirë e ka Adi Krasta. Të revoltohemi në kokë, në mendim se veç këtë armë e kemi


Nga Prof Nezir Kraki

E kam thënë para ca kohe se intelektuali i lumtur dhe i strukur nuk i duhet shoqërisë. Në fakt është i dëmshëm për të.

Kam vite që flas e shkruaj pa më të voglin hezitim për të mirën dhe interesin e përgjithshëm të popullit tonë, të vendeve tona. Pa pikën e frikës as nga bandat që i katandisen Kosovën dhe Shqipërinë, as nga, siç e quan me të drejtë Krasta, policia e informacionit e po këtyre bandave. E pranoj se pavarësia totale socio-ekonimike që e gëzoj falë mundit dhe punës në Francë tash e sa vite, ma bën edhe më të lehtë rreshtimin në krah të së drejtës, në anën e duhur të historisë. Por ka edhe plot të tjerë që janë të pavarur në këtë aspekt dhe pretendueshëm intelektualë, të cilët struken dhe i dezertojnë arenat ku fjala dhe mendimi kanë peshë. Disa e bëjnë se janë thjesht argatë të bandave, disa tjerë nga mungesa e guximit e një kategori tjetër krejt thjesht, nga mungesa e mendimit.

Argatët janë më të rrezikshmit, më të dëmshmit sepse janë të rrjetëzuar dhe të kamufluar në media, në shkolla, në universitete dhe deri në thellësinë e hallkave jetike të shtetit, të cilit më së paku i shërbejnë. Janë tipa që e kanë zgjedhë opsionin më të lehtë: shitjen e dinjitetit dhe integritetit personal për interesa veç personale. Janë uji dhe ajri i përbindëshave kriminalë e poitikë që kanë 20 vite n’Kosovë e 30 n’Shqipëri që e asfiksojnë dhe e mbysin në embrion çdo qelizë të gjallë shprese dhe ardhmërie të popullit më të përvuajtur në kontinent. Të njejtit janë sot polici informacioni dhe sabotues të çdo përpjekjeje për çkapjen e fatit tonë nga krimi. S’kanë mendim as aftësi për të, por non stop fjalen e marrin.

Adi Krasta e ka mirë kur na fton të revoltohemi brenda nesh, në mendim, në diskutim, në debate, në shpresë…

Po, po! duhet të revoltohemi, të mos pranojmë që e keqja dhe anormalja të na mbivendosen si norma jetese, si norma vuajtje. Të mos dorëzohemi përballë një klike të çoroditur e cila na ka marrë peng çdo gjë, nga lindja deri në vdekje, duke na çnjerëzuar e varfëruar deri në zhgënjim kolektiv. Të mos pranojmë më që ikja nga vendi të jetë shpresa jonë e vetme.

Sepse, jemi shumë keq…
Shqipërinë e kemi shumë keq. Ajo çdo ditë na dëshmon inekzistencen e saj neve që kemi dekada që presim bërjen e saj. Ajo veç po zhbëhet, e përçmuar dhe e maltretuar nga një lider i paaftë për empati dhe i padenjë për shpresëdhënie.
Përballë saj është Kosova, tashmë gati e zhbërë dhe e cila pret me padurim që dikush ta shpëtojë për të satën herë nga kthetrat e strategjisë serbe të ndihmuar nga injorantë e banditë të kravatuar këndej e andej Bjeshkëve të Nemuna.

Prandaj është urgjente revolta, jo në rrugë por në kokë. Duhet të bëjmë çmos që t’i bindim njerëzit se nteresi personal ka kuptim veç nëse i shërben interesit kolektiv dhe se pa individ të vetdijshëm nuk ka shoqëri të vetdijshme.
Nuk e kemi luksin ta kalojmë edhe këtë shekull në mënyrë kaotike, të endur skutave të kohës ballkanike, në 5 shtete të ndarë dhe në asnjërin të lumtur.

Revoltohuni në kokë dhe filloni me guxu!

Se guximi me mendu dhe me e denoncu të keqen është rruga më e sigurtë për përparimin e një populli.
Injoroni argatët që iu flasin çdo natë nga studiot e ideuara për dhe nga bandat.