Po pse duhet të mos ikte Agroni?

Nga Norel Zaimi

Përtej fatkeqësisë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, në portale e rrjete sociale, “disa lëkundje” i shkaktoi edhe lajmi se Agron Tufa dhe familja e tij, kanë kërkuar azil politik në Zvicër. Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit në Shqipëri, do të më urrente për vdekje, nëse do të guxoja të rendisja pesë mendime të miat për largimin e tij, pas “gjëmës” që iu ndodhi qindra familjeve në 26 Nëntor. Sot, meqë Zoti ka dasht të mos numërojmë më viktima nga raportimet mbi gërmadha, unë po “ndaloj” t’i rendis disa fjalë.

Por do ta nis me fjalinë bindje që kam:

Agronin e larguan, nuk u largua.

Metastazat e ish-sistemit u zgjatën dhe filluan t’i kthehen në shqetësim. Puna e tij për të krijuar pak dinjitet për ish-të përndjekurit politikë, duke ia vënë “në tavë” me emra autorët e krimeve, po “minohej”, nga jashtë e nga brenda. Halabakët i kërcënuan familjen, i kujtuan se si mund të futej “nën dhe”, me shpejt seç ka vendosur vullneti i Zotit. Ia bënë të qartë se çfarë e pret, nëse “ia zbulon” ngjyrën e gjakut, që nuk iu është shqitur ende prej duarve, hijenave pa din e pa iman, që vranë, për të fituar vetëm një përkedhelje të këlyshtë koke, nga gjakatarët injorantë e pa shpirt.
Tani burrash, nëse ty të kërcënojnë fëmijët, bashkëshorten, të vetët, “sorollopin” sic thuhet me kërcënim në mesazhet gjithë gabime injorantësh në tekst, …do të rrije ti e do të prisje të mësoje, nëse e kanë me të vërtetë, apo bëjnë vetëm presion? Po boll, kemi zënë mend, pasi ngjarjet të ndodhin. Le t’i parandalojmë pak herë të vetme.
E nga ana tjetër, a po heton njeri kush janë ata që bëjnë presion? Një numër telefoni, ka një “pronar” nga pas. Nese u habitët aq shumë me vendimin e “beftë” të Gonit, pse nuk habiteni sesi askush nga institucionet e hetimit “nuk po e rruan” të gjejë autorë?
Ndaj them: ju pyesni pse duhej të ikte Agroni? Une them, pse duhej të mos ikte?

Ps: Pasi e përfolëm, e përgojuam, e mbllaçitëm, por nuk e përtypëm kurrë qëllimin e tij…në fund e “nxorrëm” nga trupi se ne jemi mësuar me mish qeni… e mishin që ka shije, e quajmë mish të huaj!