Prisni fotot te pema

Nga Erti Poka

Dita- ditës po afron fundi i vitit dhe fillimi i hatasë spektakolare të gjullurdisë dhe zullumit që vetëm pesë qofte dhe një birrë mund të ta ofrojnë. E kupton që shumë gjëra nuk kanë vlerë kur shumë njerëz mezi presin të bëjnë foto te pema e vitit të ri dhe pastaj t’i fusin dy- tre raunde me qofte nga sheshi.
Kishte lezet kur atmosfera e ardhjes se një viti të ri dhe e fundit të një viti thuajse të kaluar pritej me zhurmat e fëmijëve dhe kapsollave që shpërthenin nëpër rrugët herë plot nga punët e fundvitit e herë bosh nga i ftohti që karakterizonte periudhën. Sot, jemi duke pritur me padurim pemën, se larg qoftë mos e merr era. Po, era e vetme që mund ta marrë është ajo e salçiçeve që piqen andej afër. Do hamë të gjithë aty e na bëftë mirë, po ju lutem, a do ta lëmë një vit që të mos bëjmë foto te ajo pema? Nuk kam asgjë personale me askënd e me asgjë, por jemi shumë të vetdijsshëm që është viti i ri. Rrjetet sociale janë personale, po pikërisht për këtë fakt na kanë bërë të kuptojmë nivelin e inteligjencës e nuk është nevoja për statistika që tregojnë se 1 milionë shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti për të përcaktuar këtë nivel, teksa falë instagramit ne i kemi bërë llogaritë.
Sot, të rinjtë përballen me shumë probleme, me abuzime, me refuzime që sistemi ia servir ashtu siç politikanët servirin supërat nëpër mensat publike, prandaj më shumë se kurrë viti i ri duhet të jetë simbolik, të nënkuptojë fillime të reja, energji të reja e jo foto të reja te pema në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar. E kur të gjithë sëbashku të shkojmë të hamë ato salçiçet që kushtojnë sa për të marrë me qera atë tezgën për një natë besoj se do takohemi mbas pak te ato sufllaqet vërdallë, që t’ia bëjmë si burrat e të ngopemi, nëse deri nga fundi nuk na e ka marrë frymën tymi ose pamja “breathtaking” e pemës.
E di që duhet të presim edhe pak për t’u mrekulluar me rezultatin mbresëlënës të çdo viti, por po mundohem t’i bëj parapritë personave që i dashkan kaq shumë pemët, saqë i dedikojnë serenata. Nëse i doni kaq shumë bredhat merrni ca rrënjë e mbillini andej nga ku është bërë nami me katastrofa natyrore.

more recommended stories

loading...