I duhet Luli

Fatkeqësisht Shqipëria ka një standart të veçantë operimi edhe në tragjedi, nëse në vendet e tjera qeveria ndjek procedurat dhe hapat e një Gjendje të Emergjencës tek ne është Rama që operon personalisht duke u transformuar në Ramën e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Prandaj, ndryshe nga kërkesat e kushtetutës në vendosjen e të ashtuquajturës “Gjendje të Emergjencës” nuk u mor parasysh as vota në Parlament dhe as mendimi i kualifikuar i opozitës parlamentare me bekim ndërkombëtar.

Përkundrazi, një ditë Rama u gdhi dhe nga televizori shpalli gjendjen e emergjencës, njësoj siç fjala vjen Maduro gdhihet dhe shpall shumë ligje apo gjendje të zakonshme ose jo në Venezuelë. Kështu Rama doli nga gjendja e tij e zakonshme e përbuzjes së opozitës dhe nisi turin e ri të jashtëzakonshëm dhe emergjent, ndjekjen hap pas hapi të opozitës (se ndoshta dikush mendoi se po ndiqte shqiptarët në nevojë).

Beteja e tij nuk lidhej aspak me kohën dhe tërmetin, përkundrazi gjithë fokusi i tij ishte si të sillte në shina opozitën që kish nisur një rrugëtim paralel. I duhej një opozitë në krah pasi situata ishte e tillë që Rama dhe shteti kishin kapitulluar përpara tërmetit, psikoza qe e qartë për kryeministrin; në fillim kur edhe pasgoditjet vazhdonin ai u turr të akuzonte Zotin si të pabesë. Kur e kuptoi që vetëpërmbajtja e tij kish rrëshqitur në terrenin e fyesit të plakur pa asnjë fuqi dredhoi duke afruar njerëzit e fesë, kështu peshkoi pa shumë mund imamin Naçi, ndërkohë që përpiqej të thërriste në tryezë edhe opozitën.

Praktikisht gjatë ditëve të tërmetit Rama u përpoq të lëshonte sinjale por dhe të mirëpriste opozitën në tryezë, do të mjaftonte kaq për të sheshuar gjithë pakënaqësinë e Ramës dhe shtetit të gjunjëzuar. Natyrisht që kishte dhe një rrugë tjetër, Basha të futej në një spirale akuzash që do t’i jepnin kohë Ramës të rikuperonte me sfungjerët dhe kllounët e zakonshëm situatën. Mos harrojmë që kryeministrit iu desh të nxirrte nga harresa djalin Greg për të prodhuar një histori gati gati tragjike që kish prekur dhe Merkelin.

Pak ditë pas largimit nga Shqipëria, kontrollin e spektaklit ia la në dorë njeriut që nuk e honepste dot ta kish pas. Natyrisht si roje ka lënë edhe Sandër Stop, një sikofanc të përmasave të Gëringut por që mjaftohet të ulërasë vetëm në qarkun Lezhë. Por përditë nuk harron as vetë dhe as përmes zgjatimeve të tij t’i kërkojë Bashës të ulet në tavolinë.

Ajo që i duhet Ramës sot është opozita në krah ose kjo e fundit që sulmon si një kafshë e tërbuar nga mllefi i një shteti që thjesht s’funksionon dhe në ditët e vështira thërret Gjushin në detyrë. Nëse këto dy rrugë nuk dalin, por çuditërisht edhe opozita qëllon të jetë e suksesshme në manaxhimin e sjelljes së kryetarëve dhe partive politike atëherë Ramës i duhet të shpikë. Ndaj ai po kërkon së pari një strategji PR për të qenë ai lideri i kësaj situate jo më si burri që merret me gratë e të tjerëve apo bojaxhiun e komunales Tiranë. Së dyti i duhet një strategji (apo dhe foto) për të ngopur shqiptarët e tronditur nga tërmeti që po shohin me sy, një shtet i rrënuar që ia ka besuar emergjencat civile as më shumë e as më pak se disa OJF-ve dhe Tigrit të Rilindjes.