Z. Rama, do të të bëjmë atë që s’ta merr mendja

Nga Basir Çollaku

Tërmeti, hetimet te SPAK dhe Rama si vrasës. Prokuroria e Tiranës, Durrësit, Krujës, kanë njoftuar zyrtarisht nisjen e hetimeve për pasojat e shembjes së ndërtesave, lidhur mbi ligjshmërinë, paligjshmërinë e ndërtimeve, standardet, mbikqyrja ligjore, raporti me rregullat teknike, konstatimin ose jo të elementëve të veprës penale. Inxhinierë, arkitektë, drejtorë zyrash urbanistike, kryetarë bashkie, cilët kanë qenë personat, të cilët mund të kenë toleruar ndjeshëm standardin për të rrezikuar, apo mundësuar parandalimin e përmasës së katastrofës. Hetimi sipas njoftimeve të akuzës, ka objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Prokuroria thekson se “do të hetohet për organet që kanë miratuar lejet dhe nëse ata janë dhënë në mbështetje të ligjit dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë..” Durrës, Tiranë, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Thumanë, janë zonat e tronditura, 51 të vdekur, qindra të lënduar, mbi 130 banesa e godina të shembura, mbi 460 pallate të dëmtuara rëndë. Gjendja është e një fatkeqësie katastrofike.

Por hetimi duhet të jetë më gjithpërfshirës dhe jo ndarë në kaq shumë prokurori, pavarësisht gjeografisë së madhe të vendit të ngjarjes, për shkak të kompetencës lëndore. Prokuroria Speciale do të ishte përshtatshmërisht, e duhura, ta niste me dosjen “Tërmeti”. Pavarësia e premtuar e kësaj Prokurorie, ndihma e sigurisë e deklaruar nga USA, do të hapte një seri të vërtetash, të mbuluara në rrënoja, por dhe zyra bashkish, qeverish, oligarkësh. Tre në një. Kjo është një paketë domethënëse, pas së cilës do të zbuloheshin edhe shumë llogari nëpër offshore.

Përse mos ndodhë kështu. Indikatorët janë të mjaftueshëm. Pamë nxitimin e Vangjush Dakos për tu gjendur në ish-zyrën e tij, pasi u larguan “me porosi” dy kryetaret e mundshme zonja dhe mbeti nënkryetari i tij në zyrë Zhylien Varfaj, vartësi 12 vjeçar i qeverisjes së Durrësit. Meqë Dako u shpall nongrata për korrupsion të madh sipas USA, vartësi me doemos ka dijeni për mjaft dallavere. Në Tiranë Veliaj por edhe Rama, kanë së bashku 15 vite drejtim të Bashkisë Tiranë ku ka qindra pallate në zgrip shembje. Ndërtuesit kanë marrë leje. A kanë dhënë para? Nëse po palët do të zhurmojnë por nuk do të hetojnë. Ka një nxitim dhe një konsum publik të veprës penale, e dënueshme deri në tre vite burg, siç është prishja e vendit të ngjarjes në Durrës, Thumanë, Tiranë, duke pastruar vendet ku gjenden godinat e shembura. Asnjë oficer apo Prokuror nuk është parë të kryejë veprime proceduriale. Ndonëse Rama premtoi se në bisedën me Arta Markun, i kishte thënë shefes së akuzës se ky është një hetim i lehtë për tu bërë. Ta nisë me dëshminë e tij me dijeninë për lejet do të ishte e dobishme. SPAK-u mund të rikthejë dhe dosjet e vjetra të Ramës e Veliajt, të cilat gjenden në Prokurori, disi të fjetura nga ndere prokurorësh e zyrtarësh drejtësie, të cilët Rama i ka shpërblyer me ndere të tjera gjatë udhës së pushtetit.

Ndonëse duhet kohë të merresh me dhunën marroke të Ramës, dëshmi shëndetit të cënuar vertikal, kanosja e tij publike ndaj medies, është një larm jo vetëm shqiptar. NErvozuar se nuk kontrollon dot 100 përqind të medies tradicionale dhe jo atë sociale, ka nisur britmat kundër gazetarëve. Tej mase anormal në deklarim, Rama duke bërë një krahasim japonez, u sokëlliu redaksive, gazetarëve, analistëve, kundër tij duke thënë se “ Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit. Mos na detyroni tu bëjmë atë që nuk ua rrok imagjinata” Zoti na ruajt dhe qoftë kujdestar i mendjeve të munguara. Por të përpiqemi të shpjegojmë çfarë kuptimesh ka në brendësi fjala e paimagjinueshme në këtë kontekst. Sigurisht hamendësimet janë gjuhësore, por efektet fizike.

Ngjarje të paimagjinueshme të sjelljes qeveritare dhe Kryeministrit, të premtuara publikisht, të cilat bëjmë përpjekje të ofrojmë me ndihmën e fjalorit, tej imagjinatës janë:
Mbyllja e medias

Burgosja e gazetarëve, njerëzve që mendojnë ndryshe

Sekuestrimi bllokimi me shirita policie

Gjobat

Kërcënimet për jetën

Djegia

Gjymtimi

Vrasja

Dy të parat kanë ndodhur. Syri.net, OJQ, Dosja.al, janë mediat sociale të ndëshkuara dhe me ndalime gazetarësh e drejtuesish edhe me mbyllje domenesh. Gjobat nën dorë e mbi dorë, janë shëtitëse sipas sjelljeve të ekraneve kontrolluara prej tij. Djegia dhe rrahja kanë ndodhur. Vrasja, fatmirësisht është krim ende i pandodhur ndaj gazetarëve. Nëse Rama ka ndërmend të lëshojë zagarët e krimit, njohjet me të cilët nuk i mungojnë, sepse me qentë u pa në Kashar se komunikoi, pasi shkërmoqi dy Erionët publikisht, atëherë jemi vërtet në një rrezik publik. Por gazetarët duhet të premtojnë bashkërisht një gjë.

Ne duhet t’i bëjmë Ramës atë që nuk ia merr mendja.

Të publikojmë çdo dosje të fshehur të tij dhe ortakëve të tij, çdo para e pasuri të paligjshme të tij dhe ortakëve të tij, çdo shkelje ligji, abuzim, korrupsion, të tij dhe ortakëve të tij, çdo përfitim koncensionar mes tij dhe ortakëve të tij, çdo ngrohje xhepi diplomatësh prej tij dhe ortakëve të tij. Të zbulojmë dhe publikojmë çdo investim brenda e jashtë vendit, ku ai familjarë të tij dhe ortakët e tij janë përfitues. Të bëjmë atë që mendja e tij deri më tani nuk ka vend ta marrë.. Me këtë bëjmë mirë për vendin..

Sepse asnjëri nga ne nuk duhet të jetë rrogtar në ERTV. Në duhet ti bindemi profesionit dhe misionit.