Po, e kuptuam sa të dobët jemi, por tani duhet të ecim përpara!

Nga Admir Malaj, Zëri i Integrimit

Çdo gjë që kemi parë këto ditë, që kemi dëgjuar dhe kemi ndjerë na tregoi se sa të pafuqishëm jemi para katrastrofave dhe sa të pasigurtë, dyshues dhe pelivanë janë disa prej nesh në rrugën e ringritjes.
Pas tërmetit reagimet ishin të ndryshme, por ato mund të ndahen në katër kategori, tre të mira dhe një negative. Ata janë engjëjt, kritikët, hallexhinjtë dhe shenjtanët.
Të parët ishin ata që u mobilizuan dhe filluan të shkojnë për ndihmë, të mbledhin fonde dhe të krijojnë shpresë. Të dytët ishin ata që filluan të drejtojnë gishtin, të qesëndisin paaftësinë dhe makutërinë, të jenë kritikë, pra gardianë të procesit. Të tretët thjesht u vetëpërmbajtën, pasi tronditja ishte e madhe dhe u mbyllën brenda familjeve, në hallin e tyre. Grupi i katërt, që është ai negativi, janë ata që kërkuan të përfitojnë nga situata, politikisht dhe ekonomikisht. Tek kjo kategori ka shenjtanë nga të gjitha llojet. Ka mashtrues ordinerë, mashtrues me kollare, të fortë, palaçe, provokues dhe sadistë.
Me kalimin e kohës, frika do bie dhe forcat e engjëjve po ashtu do zvogëlohen, kritikët do vazhdojnë punën e tyre dhe hallexhinjtë do bëhen gati t’i rikthehen punëve të përditshme, ndërkohë që shenjtanët janë aty gati të kapin çfarë të kapin, apo çfarë ngelet, nga kjo situatë, duke përfshirë edhe kritikët dhe hallexhinjtë në lojën e tyre.
Kështu shumë nga ata që sot sillen brenda tre kategorive të para, mund të rrëshkasin në kategorinë e katërt, atë të shenjtanëve, sepse nesër “përfitimi” mund të jetë aty, gati për t’u vjelur dhe duhet vetëm pak mashtrim, “siç bëjnë të gjithë” dhe atëherë ja ku u bë, sjellja e një pakice përqafohet nga shumica.
Kështu, fatkeqesisht, shumë kritikë nuk po ndalen në mosbesimin e tyre, duke kaluar deri në nihilizëm, e shumë hallexhinj po shohin nëse dëmi i tyre ndofta është më i madh se sa duket, se ndofta, ndofta mund të përfitohet nga kjo situatë.
Ne nuk mund t’i ndryshojmë njerëzit, të paktën jo brenda një brezi, por mund t’u ndryshojmë sjelljen. Modeli që bën më shumë zhurmë, është dhe ai që ndiqet.
Shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme ishte diçka që duhej, sepse u dekurajuan shumë shenjtanë të bënin dëme, me mbledhje fondesh abuzive dhe përhapje lajmesh të rrëme, ashtu siç u bë mirë që u bënë shembuj disa punonjës publikë që mesa thuhet janë sjellur si shenjtanë.
Por kjo vigjilencë duhet të vazhdojë. Ne duhet të fuqizojmë engjëjt që u ngritën nga rrënojat e këtij tërmeti. Të gjithë ato gra dhe burra, punonjës të shtetit, të shoqërisë civile, vullnetarë, biznesmenë, njerëz të besimit, që shkuan dhe sakrifikuan për të shpëtuar çdo frymë jete.
Ne nuk duhet të lejojmë që puna e tyre të prishet nga mosbesimi, nga flegmatizmi dhe nga shenjtallëku. Tani që frika po ikën, ne duhet të gjithë të ngrihemi në nivelin e kurajos së tyre.
Ka disa gjëra që mund të bëhen, disa afatshkrurtra dhe disa afatgjata, për të ecur përpara.
Afatshkurtra janë ato që në fund të fundit ka marrë Qeveria, luftë ndaj mashtruesve dhe bërja shembull, por nga ana tjetër nuk duhet censuruar kritika, sepse vetëm nëpërmjet vigjilancës kolektive, këtu edhe kritikëve të mediave, ne mund të zbulojmë abuzimet e shenjtanëve.
Afatgjata pastaj janë ato masa që duhet të marrë secili nga ne, për të ecuar përpara. Ne nuk duhet të përkulemi më, para të fortëve, para të pasurve të pamerituar, para hajdutëve dhe të paaftëve, por të tregojmë kurajo qytetare. Të njëjtën kurajo me të cilën engjëjt u përballën me tërmetin.
Ne nuk duhet të lejojmë, sidomos ne hallexhinjtë, ne familjaret, ne nuk duhet kurrsesi të lejojmë që në emrin tonë të ndertohet aty ku nuk mundet, të harxhohet aty ku nuk duhet, të shitet aty ku nuk duam. Ne duhet të ecim përpara me një Shqipëri më të drejtë, më të sigurtë dhe më të zhvilluar.
Unë nuk jam inxhinjer, as urbanist dhe as arkitket dhe nuk mund të them se si do rindërtohet Durrësi, Thumana dhe gjithë ato qytete e fshatra ku shtëpitë janë tashmë të pabanueshme dhe komunitete të tëra kanë humbur çdo gjë.
Por unë mund të them se rindërtimi i Durrësit dhe gjithë qyteteve e fshatrave të dëmtuar është shumë e rëndësishme, është jetësore për zhvillimin e vendit. Shumë shpejt vjen sezoni turistik dhe një pjesë e mirë e biznesit i ka sytë tek kjo periudhë. Duhet patjetër që të rregullohet imazhi dhe rikrijohet shpresë dhee siguri. Nëse nuk realizohen fitime verën e ardhshme do ishte një dëm tjetër që i shtohet këtyre që patëm.
Pra si i bëhet?
Zgjidhja është aty, tek ato masat afatshkrurtra dhe afatgjata. Në radhë të parë i takon ekzekutivit, që të bëjë shembuj ca shenjtanë, edhe brenda sojit të vet, e pastaj na takon ne që të bëjmë tonën, të besojmë akoma më shumë tek shteti ynë, sepse në fund të fundit ai ka vulat dhe firmat tona. Pa të jemi njerëz pa nam dhe nishan.
Unë mendoj se rritja e besimit ndaj Qeverisë, pra fakti që unë po të besoj dhe unë kam-çkam do ta jap ty dhe jo fondacioneve apo individëve, duhet shoqëruar me një vigjilencë dhe kërkesë llogarie.
Fakti që më shumë ndihmë dhe solidaritet morën disa udhëheqës shpirtërorë dhe shoqërore se sa vetë institucionet publike, duhet të bëjë të reflektojë Ekzekutivin dhe partitë politike. Personalisht do ta mirëprisja një tavolinë mes udhëheqësve të Pozitës, Opozitës dhe vetë Presidentit. Ka hapësirë për një fillim të ri, pas 30 vitesh tranzicioni.
Ky tërmet mund të konsiderohet si një betëjë e humbur në tranzicionin tonë të gjatë, fatkeqësisht me pasoja tragjike. Pikërisht duke respektuar këto humbje ne duhet të ndërtojmë një të ardhme tjetër. Nuk duhet të lëmë më askënd, asnjë shenjtan, të na demoralizojë, të na ofendojë, të na vjedhë dhe të na lërë pas dere.
Nuk ka më hapësirë këtu për nihilizëm dhe shenjtallëk në këtë vend, por ka vend për vepra të mira, besim dhe vigjilencë. Hajde ecim përpara pra!