2 anëtarë të Komitetit të Nobelit japin dorëheqjen, arsye shkrimtari Handke

Pas fitimit të çmimit Nobel për shkrimtarin austriak, Peter Handke, në muajin tetor, dy anëtarë të Komitetit të Nobelit për Letërsi kanë dhënë dorëheqjen.

Fituesi Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe me gjerë, për shkak të mbështetjes së zëshme për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Kristoffer Leandoer dhe Gun-Britt Sundstrom thanë se largohen nga Komiteti i Nobelit i Akademisë së Suedisë, ku kanë qenë të emëruar si anëtarë të jashtëm. Dorëheqjet u konfirmuan nga Akademia dhe vijnë pak ditë përpara ceremonisë së ndarjeve të çmimeve Nobel, më 10 dhjetor.

Leandoer tha se nuk ka “durim” për reformat e brendshme që ka ndërmarrë Akademia pas një skandali të përdhunimit që e ka përfshirë atë në vitin 2017.

Sivjet, çmimi Nobel për letërsi është ndarë edhe për vitin 2018, edhe për 2019, pasi, vitin e kaluar, është anuluar për shkak të skandalit të përdhunimit në Akademinë suedeze.