I zoti e nxjerr gomarin nga balta

“Ai që e dhjeu, ta ndreqë”. Dako për Kryetar Bashkie, 2020!

Nga Tim Buzi

Paratë e të sipërpërmendurit dhe të shokëve të tij do të mjaftonin jo vetëm për të strehuar ata që u prekën drejtpërsëdrejti nga tërmeti, por për t’i bërë të gjithë Shqiptarët të begatë në një vend të begatë
 
Ndërsa shpesh flitet për pandëshkueshmërinë në Republikën e Shqipërisë dhe vijohet me përfundimin e pashmangshëm se kështu është këtu, hajd’ ta përdorim këtë shkundje tragjike edhe për diçka të mirë: Vëmë mend në kokë njëherë e përgjithmonë dhe mos t’i lëmë më gjë në dorë hienave të pangopura që po na e hanë mishin dita ditës! …dhe bashkë me të, edhe shpresën!
Nuk fajësoj njeri për shiun, breshrin, borën e as për tërmetet (se për përmbytjet ka raste që po. Pyesni Durrësin!), por ama nuk mundem të rri pa drejtuar gishtin ndaj katrahurës urbane dhe ndërtimore që është bërë dhe vazhdon të bëhet në vendin tim, të cilin e dua me gjithë shpirt. Ndërsa fenomeni është i dukshëm në të tërë territorin e mbetur prej 28.748 kilometrash katrorë, Durrësi ha pak bukë më vete në këtë aspekt dhe, si i tillë, mund të përdoret natyrshëm si etalon i xhunglës, abuzimit dhe grykësisë për beton. Këtë pozitë të “nderuar” mund t’ia kishte marrë menjëherë Tirana po të mos ishte për pasojat e tmerrshme që ky lloj abuzimi solli në Durrës. Thënë këto…
 
…flasim pak për ndëshkimin!
 
E natyrshmja ime prej Shqiptari, mësuar kryesisht nga tavolinat e diskutimit, do kishte qenë të jehoja fjalët e zakonshme: burg, burg, litar, etj. Ama, duke e ditur se askush prej hienave nuk shkon ndonjëherë në burg e litar (në rastin më të keq varfërohen), propozoj këtë tjetrën: Ta bëjmë Dakon – pa hir por me pahir – Kryetar Bashkie të Durrësit dhe ai të jetë i detyruar të ndreqë atë çka vetë dreqosi.
…duro, e kam menduar mirë, ja ta shpjegoj: Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe atij i caktohet një Xhandar i pastër në figurë, i vendosur në shpirt, por inatçi nga koka te këmbët! Ky i fundit, do të kishte detyrën me ligj (dhe me Maliq) që të ndiqte Kryetarin me kamzhik në çdo hap e në çdo vendim. Edhe në më të voglin! …t’ia bënte jetën ferr deri sa të rregullohej çdo gabim i së shkuarës, çdo tullë të ishte në vendin e duhur dhe çdo centimetër katror të ishte i urbanizuar – pa harruar kthimin e çdo kokrrize rëre në vendin e vet, aty ku rrihet nga dielli.
Një ndëshkim i tillë do të ishte i duhuri – patjetër që edhe ironik do qe – por kryesisht do të ishte i më i sakti. Kush prish, ndreq! …e ku ka më mirë.
A është vetëm Dako fajtor? Jo! Ai ka shumë “shokë” si vetja! Ama, kjo fabul ndëshkimi të hidhur i jep atij nderin e paimagjinuar që të sakrifikohet në tepsi për gjynahet e të gjithëve. Nuk po them tani që edhe ta murosim në fund të punës, kryesisht sepse nuk mendoj se ka njeri që dëshiron t’i shohë atij gjirin! …se, ne fund të fundit, njerëzit në Durrës edhe hanë!
 
I Sakrifikuari
 
Pra, “i sakrifikuari” do të shërbente si projekt pilot për trajtimin e gjithë hienave të tjera në të ardhmen. Diku nga hiena e gjashtë apo shtatë si pjesë e këtij projekti, jam i bindur se të tjerat do zhdukeshin trimërisht nga Shqipëria me valixhe nëpër këmbë.
Paratë e të sipërpërmendurit dhe të shokëve të tij – nga të cilat nuk kanë fituar asnjë qindarkë vetë, por ja kanë vjedhur ato mua dhe bashkëkombësve të mi – do të mjaftonin jo vetëm për të strehuar ata që u prekën drejtpërsëdrejti nga tërmeti, por për t’i bërë të gjithë Shqiptarët të begatë në një vend të begatë.
 
Pak matematikë para gjumit:
 
Shqiptarë me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë: 3.549.909
 
Hiena: 140 + (≈10 zara për hienë, dmth ≈10 × 140) + 61 + (61 × ≈10) + 1P + (1 × ≈10) + ≈200 individë opozitë të dorëhequr, bashkë me zara = ≈2.512 hiena
 
3.549.909 – 2.512 = 3.547.397
 
Gjejeni vetë se nga cila anë ka më shumë!