30 vite për 30 sekonda!!!

Nga Av.Besart Logu

Tërmeti i 26 nëntorit edhe pse me natyrë dhe forcë shkatërruese, duhet të na shërbejë si gurë themeli në ndërtimin e një shteti ligjor dhe të së drejtës.

Përveçse nuk kemi patur kulturën e zbatimit të ligjit, na ka munguar edhe ajo e ndëshkueshmërisë, si formë dhe masë për shkeljen e bërë e dëmin e shkaktuar.

Vetëm nëpërmjet ndëshkimit të autorëve të kësaj katrahure, do vendosim standartin e kryerjes së një pune me përgjegjësi. E nëse sërisht nuk do zbatohet ligji, të paktën kemi vendosur standartin e ndëshkueshmërisë.

Janë toleruar shpërdorime të detyrës nga më të ndryshme por të cënohet jeta e banorëve të Tiranës dhe Durrësit, rreth 2/3 e popullsisë, e të kalohet njëjtë me skandalin e unazës apo PPP-ve të tjera, vetëm sa do rëndohet më tej pozita jonë karshi atyre që ngarkohen me ligj të na mundësojnë të drejtën e parë themelore, atë të jetës.

40 milion euro të unazës apo çdo qindarkë tjetër e keqpërdorur ndër vite, nga çdo qeveri, zëvëndësohet sërisht pasi sistemi ekonomiko-politik që kemi ta mundëson prodhimin dhe qarkullimin e parasë. Ndërsa dëmshpërblimi në rast vdekje nuk kompenson atë çfarë realisht ke humbur, jetën! Ajo që veç një herë te jepet dhe këshillohet ta kalosh paqtë!

E për të shmangur situata të tilla si dhe për të mos lejuar përsëritjen e kësaj kasaphane urbanistike, është koha për ndëshkim! 30 vjet punë, mund e djersë nuk mund të shuhen për 30 sekonda, bashkë me to edhe jeta e gjithësecilit prej nesh!