NDËRTIMET PA LEJE, NJË MINË ME SAHAT E KURDISUR NGA VETË NE!

Nga Av.Besart Logu

Për të shmangur ndonjë tragjedi tjetër të mundshme, qeveria duhet të ketë prioritet të gjitha ndërtimet pa leje, të legalizuara ose jo, që janë bërë këto 30 vite liberalizëm absurd dhe pa kufij.

Tërmetet e dy muajve të fundit zbuluan se si është abuzuar me paramtrat teknik, se si është rritur norma e fitimit duke ulur cilësinë dhe se si është shkelur leja pa marrë asnjë sanksion apo vuajtur ndonjë pasojë. Dhe kjo e bërë nga firma ndërtimi të cilat ishin të pajisura me leje ndërtimi, me nipt dhe të regjistruata në organet tatimore, subjekte të cilat shteti fare lehtë mumd tia kontrollonte veprimtarinë e tyre në çdo moment.

Por akoma më alarmante duket se janë ndërtimet pa leje të bëra nga individët. Pothuaj në të gjitha fshatrat e Shqipërisë shtëpitë private janë ndërtuar pa asnjë leje nga organet vendore. Edhe në qytete, shtesat mbi kate dhe ato anësore nuk zotërojnë një të tillë, lokalet e kateve të para (kryesisht në pallatet e vjetra) përgjithësisht kanë ndërhyrë duke i përshtatur apartamentet për aktivitet tregtar. Dhe të gjitha këto, kanë ndodhur pa asnjë inspektim e miratim teknik para apo pas ndërtimit.

Nëse do shohim ligjin nr.9482 datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, rezulton se objekti i tij është vetëm legalizimi i këtyre ndërtimeve dhe kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore. Pra, aspekti teknik nuk preket fare ose e vetmja e dhënë që merret në konsideratë është sipërfaqja ndërtimore e objektit. Një ligj që merret kryesisht vetëm me çështjen e pronësisë edhe pse trajtohen ndërtime të mirëfillta, të ndërtuara në çdo shesh e fushë të mundshme

Nuk duhet harruar fakti se të gjitha këto ndërtime janë bërë nga persona me njohuri minimale në fushën e ndërtimit dhe pa asnjë informacion në lidhje me të dhënat gjeodezike të truallit. Me pak fjalë “gjej shesh e bëj pshesh”.
E drejta për të lëvizur lirisht, migrimi dhe zgjedhja se ku do ngreje përditshmërinë u konceptuan gabim nga shqiptarët dhe nga isntitucionet shtetërore. Kufizimet që bën ligji duhen parë në një plan tjetër. Rendi dhe rregulli që ligji sanksionon është siguria që ofrohet për një jetë më të sigurt duke gëzuar çdo të drejtë por dhe të mirë materiale. Shteti duhet të marrë përgjegjësitë që qytetarët ia kanë ngarkuar për sa kohë e njohin si autoritet. Ndërhyrja është detyrim i tij dhe nuk duhet të vihet në lëvizje vetëm me kërkesën e palës së interesuar apo kur gjendet para një fakti të kryer, si tragjedia e 26 nentorit.

Mendoj se qeveria duhet të nisë një fushatë duke ngritur grupe pune me përbërje gjeodez, arkitekt, inxhiner ndërtimi, urbanist dhe çdo profil tjetër që i shërben vlerësimit me qëllim rritjen e sigurisë teknike të ndertimeve pa leje në vend.
Çështja e pronësisë, edhe pse një e drejtë themelore, kalon në plan të dytë kur diskutohet jeta e personave që kanë ndërtuar në shkelje të çdo ligji në Republikën e Shqipërisë. Koha për të vepruar është tani!

Zoti na ka falë ndëgjegjen për të qënë sa më produktiv, e nëse kjo nuk ndodh le të veprojnë institucionet dhe mekanizmat ligjor. Jeta është e shenjtë dhe nuk mund t’ia besojmë rastësisë dhe përgjegjësisë minimaliste që institucionet shtetërore tregojnë karshi një veprimtarie kaq të rëndësishme, njëkohësisht dhe me rrezik!