23 Viktimat e tërmetit, dhe ata që ende mendohet se janë nën rrënoja

Tërmeti prej 6.4 ballë ka kthyer në gërmadhë disa ndërtesa në Durrës dhe Thumanë, aty ku kanë qenë edhe dy zonat më të prekura dhe ku janë shënuar viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Deri në orën 22.30 minuta, zyrtarisht janë deklaruar 23 viktima, dhe 650 të plagosur me plagë të lehta apo të rënda.

Ndërkohë, shumë persona janë nën rrënoja, edhe pse askush nuk mund të thotë një shifër të saktë sesa prej tyre janë nën rrënojat e pallateve dhe godinave të tjera të shkatërruara plotësisht.

Sipas statistikave, thuajse viktimat kanë qenë të barabarta në numër në Thumanë dhe në Durrës. Por, ndërkohë, që prej mëngjesit, banorët kanë dalë jashtë të përfshirë nga paniku dhe ankthi, nga frika.

Qindra banorë jo vetëm në Durrës, por edhe Tiranë dolën në rrugë që prej orës 4 të mëngjesit, sepse tërmeti me një magnitudë të frikshme, madje më të madhe se ajo e vitit 1979 në Shkodër i shkundi të gjitha pallatet.

Gjithsesi, pas asaj që ndodhi, forca të shumta kanë nisur kërkimet. Ushtria është ndarë në të dy zonat e prekura më rëndë. Policia dhe shërbimet e urgjencës nisën dërgimin e të plagosurve të parë drejt qendrave shëndetësore dhe spitaleve.

Por situata u ndërlikua. Deri në orën 10 të paradites ishin konfirmua 7 viktima, nga të cilat një në Kurbin, tre në Thumanë dhe tre në Durrës. Situata precipitoi edhe më keq, sepse kërkimet u vështirësuan për shkak se mjetet e rënda që duhet të ndërhynin në mbetjet inerte të shkaktuara nga shembja e pallateve e kishin thuajse të pamundur, sepse shumë persona kanë mbetur nën rrënoja.

Forcat xheniere të ushtrisë nisën kërkimet, por në mbështetje të tyre të parët u rreshtuan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më tej, ekspertë nga Greqia, Italia, Franca dhe Rumania së bashku me mjetet e tyre të posaçme ishin një forcë më shumë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Për fat të keq, deri në mbrëmje kanë dalë 23 trupa të pajetë, ndërsa pak raste janë shpëtuar. Madje, edhe një grua që kishte qëndruar për më shumë se 14 orë nën rrënojat e pallatit doli fillimisht e gjallë bashkë me vajzën e saj 8 vjeçe, por humbi jetën në spital.

Edhe në një tjetër rast ndodhi po kështu. Ndërsa Klajdi Qato mundi ta përballojë mbi trupin e tij një sasi të madhe inertesh dhe ai u shpëtua nga ekspertët grekë.

Por kush janë viktimat e deritanishme të katastrofës natyrore që ka prekur Shqipërinë? Listëëa araprake të personave që kanë humbur jetën, ose të paktën dyshohet se kanë humbur jetën është me emrat. Sepse autoritetet shtetërore nuk kanë bërë publike një listë të plotë të viktimave, apo personave nën rrënoja.

Selvie Lala, Erisa Cara, Arjela Lala, Kristi Reçi, Erjola Boshku, Sadik Qato, Amelja Lala, Sahate Lala, Bajram Hajdarmetaj, Plator Zeneli, Klement Çupi, Hasan Cara, Almir Cara, Erisa Cara, Fatmira Cara, Stela Cara, Diana Meçe, Shemsedin Abazi, Isa Abazi, Drita Cakoni, Sardi Cuka, Mira Cuka.

Viktima e 23 e tërmetit të tmerrshëm dhe e parë e regjistruar është e një personi nga Kurbini që gjeti vdekjen nga infarkti, edhe pse më pas për të u tha se u hodh nga ballkoni për shkak të lëkundjes së fortë.

Por, problemi më i madh janë tek ata që ndodhen nën rrënoja. Nuk ka shifra, por shtohen më shumë dyshimet për të tjera viktima, sepse mungesa e ushqimit dhe e oksigjenit nën rrënoja janë elementë që shkaktojnë vdekjen.

Nga ana tjetër ekipet e emergjencave shqiptare dhe nga shtete të tjera kanë vijuar kërkimet, por shpresa për të gjetur të tjerë të mbijtuar çdo orë që kalon shuhen. Me kamera termike po vijojnë operacionet. Ndërsa e nesërmja nuk dihet se çfarë mund të sjellë, sepse ende ka shumë njerëz nën rrënoja.