Pse nuk mund të bëjmë edhe luftën e Ilir Metës!

REDAKSIONALE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon referendum për të vënë dinjitetin e Kushtetutës në vend që sipas tij po shkallmohet nga Kryeministri Edi Rama.

Retorika e presidentit Meta ka arritur majën e vlimit ditët e fundit për shkak të tentativës së Edi Ramës për të kapur anëtarët e gjykatës Kushtetuese.

Deri diku presidenti Meta ka të drejtë. Reforma në drejtësi ka dalë nga binarët kushtetuese dhe ligjor.

Por e vërteta tjetër është që Ilir Meta, si kryetar i LSI dhe kryetar Parlamenti është bashkëpunëtor dhe bashkëautor i reformës në drejtësi me 140 vota. Madje Ilir Meta votoi për kundër PD, edhe 7 ligjet që kanë bërë këtë gjullurdi.

Është Ilir Meta që bashkë me Edi Ramën krijuan salamandrën elektorale të reformës administrative, që u votuan edhe me votat e LSI, për 61 bashki.

Është Ilir Meta që bashkë me Edi Ramën hartuan dhe miratuan reformën në Arsim, që u votua edhe me votat e LSI.

Është Edi Rama dhe Ilir Meta që u dakordësuan që Kryetari i LSI të bëhet president, edhe që u votua nga votat e LSI.

Ilir Meta e dinte shumë mirë që Fondacioni Soros mbështeti reformën administrative, që votoi LSI.

Ilir Meta e dinte mirë që reforma arsimore u hartua nga ekspertë të Fondacionit Soros, që votoi LSI.

Ilir Meta e dinte mirë që reforma në drejtësi u hartua me lekët e fondacionit Soros, që edhe kjo e miratua me votat e LSI, PD, PS, etj.

Ilir Meta nuk mund të mos marrë përgjegjësi që ka bashkëpunuar për ti dhënë këtë pushtet Edi Ramës.

Presidenti Ilir Meta nuk mund të kërkojë që populli i tij të jetë tampon mes Edi Ramës, fondacionit Soros, ambasadorëve të huaj në Tiranë.

Në këto kushte, Ilir Meta nuk mund ti kërkojë opozitës ta mbështesë në një betejë fjalësh me zyrtarët e lartë të SHBA.

Ne nuk do përkrahim kurrë zhdoganimin e retorikës antiamerikane në Shqipëri.