Presidenti kinez Xi takohet me Kissinger-in, ish sekretari i Shtetit amerikan

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të premten me ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henri Kissinger, i cili ishte një ndër kontribuesit e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe ShBA-së në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

“Tani, marrëdhëniet kino-amerikane ndodhen në një moment kyç me disa vështirësi dhe sfida”, tha presidenti Xi. Ai u bëri thirrje dy vendeve të forcojnë komunikimin mbi çështje strategjike për të mënjanuar keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara dhe të nxisin mirëkuptimin reciprok.

“Dy palët duhet të nisen nga interesat thelbësore të dy popujve dhe të popujve botërorë, duke respektuar njëra-tjetrën, të gjejnë pika të përbashkëta, duke mënjanuar dallimet dhe të kërkojnë bashkëpunim me leverdi ndërsjellë për të çuar përpara këto marrëdhënie në drejtimin e duhur”, shtoi kreu i shtetit i Kinës.

Ndërsa, z. Kissinger u shpreh nga ana e tij se e ka vizituar Kinën afro 100 herë gjatë pesë dekadave të fundit dhe ka dëshmuar ndryshimet drastike që kanë ndodhur në vend.

“Bota e tanishme ka ndryshuar dhe rëndësia e marrëdhënieve amerikano-kineze po bëhet gjithnjë e më e spikatur”, tha ai.

Ish-kryediplomati amerikan sugjeroi që dy vendet duhet të forcojnë shkëmbimet strategjike, të punojnë për të gjetur mënyra për trajtimin e përshtatshëm të diferencave dhe të zgjerojnë shkëmbimet në fusha të ndryshme, gjë që do të jetë e një rëndësie jetike për dy vendet dhe për botën