A ekziston Kombi Kosovar?

Nga Indrit Vokshi

Është ndezur një debat mbi ekzstencën ose mosekzistencën e kombit kosovar. Në debat janë dy grupime të cilat nuk debatojnë me qëllim për tu kuptuar e as për ta sqaruar nëse ka apo jo komb kosovar. Kjo sepse debati mbi kombin kosovar nuk nxitet nga diskutimi teorik por nxitet nga qëndrimi politik. Palët i kanë marrë vendimet; njana palë deklaron se kombi kosovar ekziston, ndërsa pala tjetër deklaron të kundërtën. Ska qenë as filozofia, as historia, as sociologjia e as antropologjia ato që i kanë formësuar vendimet e palëve. Kanë qenë interesat. Nuk ka qenë pra realiteti i sotëm e gjendja ku jemi sot por ka qenë më së shumti synimi për nesër dhe destinacioni ku duan të jenë nesër forca e cila i ka përcaktuar vendimet. Kështu që pyetja nëse Kosova sot është komb e nëse ekziston kombi kosovar, kthehet në pyetje pa rëndësi ose me rëndësi dytësore. Kosova sot nuk është komb e nuk ka sot komb kosovar, kjo ska nevojë për diskutim.
Mirëpo Kosova i ka premisat për të qenë komb e për të ndërtuar kombin kosovar, nëse dëshiron. Ka bashkësinë, mundet të kultivojë vetëdijen e përveçme, ka institucionet, mundet të ndërtojë edhe interesa politike e tregtare ndryshe nga të Shqipërisë, madje mund të organizojë edhe një kongres gjuhe ku të përcaktojë dialektin geg si gjuhë zyrtare dhe, kështu mundet të avancojë e të dallohet si komb. Pyetja nuk shtrohet nëse mundet Kosova të ndërtojë komb, sepse po, mundet. Pyetja shtrohet nëse Kosova duhet të ndërtojë komb të kësaj natyre, me interesa e vetëdije të përveçme siç u sipërpërmendën. Pyetja shtrohet, a është në interesin e shqiptarëve të Ballkanit krijimi i kombit kosovar?
Përgjigjja është krejt e lehtë: Jo, krijimi i kombit kosovar nuk është në interesin e shqiptarëve. Kosova është shtet dhe duhet të jetë shtet, Kosova ka ushtri, ka polici, ka sistem arsimor, ka institucione kulturore dhe duhet të vazhdojë t’i ketë e t’i konsolidojë me plot përkushtim. Mirëpo shteti i Kosovës, ushtria, policia, shkollat, institucionet kulturore dhe çdo shqiptar, duhet t’i shërbejnë botës shqiptare dhe interesave të shqiptarëve. Kosova është po aq përgjegjëse për botën shqiptare sa edhe Shqipëria. Sepse Kosova nuk ka qenë me qera e nuk është me qera në botën shqiptare që të sillet si çdo qeraxhi të cilit sapo i jepet mundësia për të pasur shtëpinë e vet, largohet. Kosova ska arsye, ska interes, ska pse shkon drejt kësaj rruge. Bota shqiptare për Kosovën nuk është si Jugosllavia, prej së cilës Kosova menzi çpriste të largohej. Kosova është bashkëpronare e botës shqiptare. Kosova është vetë bota shqiptare. Kosova ka përgjegjësi edhe për Shkodrën, për Korçën, Durrësin, Beratin, Vlorën, Sarandën e çdo vend të Shqipërisë. Ka për Tetovën e Gostivarin, Kumanovën e Preshevën, Ulqinin e Tuzin. Kësisoji Kosova dhe shqiptarët në Kosovë, duhet të marrin përgjegjësi për botën shqiptare, njëlloj siç i kanë marrë tanaherët. Kjo lloj përgjegjësie e Kosovës, nuk mund të diktohet nga Tirana. Çmendet ose shitet Tirana dhe në Kosovë u dashka gabimisht të mendohet se duhet të arratisen prej botës shqiptare, se u çmend Tirana?! Bota shqiptare nuk është pronë e politikanëve dhe snobëve të Tiranës. Prishtina e Drenica munden t’i japin Tiranës leksione patriotizmi dhe Tirana duhet t’i dëgjojë me vëmendje. Kosova është e barabartë me Shqipërinë, madje po të bëhet sondazh në Shqipëri me pyetjen “Kush janë më patriotë, shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë”, 80% e njerëzve në Shqipëri do të deklaronin se kosovarët janë më patriotë shqiptarë sesa ne. Ata që propagandojnë nevojën e krijimit të kombit kosovar, ata janë gabim. Ata që angazhimin e Kosovës në botën shqiptare e konsiderojnë mohim të shtetsisë së Kosovës, ata janë gabim. E kundërta është e vërtetë; angazhimi i shtetit të Kosovës në ketë drejtim vetëm sa e forcon dhe e afirmon shtetsinë. Kosova nuk ka nevojë të mohojë pavarësinë dhe institucionet saj. Kosova nuk ka nevojë të vendoset para zgjidhjes: o shtetsinë o shqiptarinë, sepse mundet t’i mbajë të dyja. Kosova duhet të vazhdojë të jetë shtet dhe duhet të avancojë si shtet. Qenia shtet nuk e pengon për të kultivuar shqiptarí dhe kultivimi i shqiptarisë nuk e pengon për të qenë shtet. Siç Shqipëria pas 1912 mundi të quhet Shqipëri edhe pa Janinën e Ohrin, pa Dibrën e Gjakovën, edhe Kosova mundet të jetë shqiptare pa Shkodrën e pa Elbasanin, pa Vlorën e pa Lezhën. Se Shqipëri aso kohe nuk ka qenë kjo e sotmja e kaq sa e sotmja, kjo ka qenë shumë pak. Edhe Kosova sot, as duhet trajtuar si shtesë, as si e përkohëshme, as duhet t’i ngarkohet detyrë e t’i paraqitet si domosdoshmëri bërja e diferencës, dallimi e diferencimi nga Shqipëria, duke shpallur kështu kombin kosovar si arratisje prej historisë e devijim prej të ardhmes. Sepse do u duhet të fallsifikojnë historinë si fillim. Kombi kosovar është problematik sot për sot, përderisa kosovari vjen në pelegrinazh patriotik në Krujë, Lezhë e Vlorë dhe shqiptari i Shqipërisë niset e fotografohet në Prekaz duke shprehur nderim për Adem Jasharin, pa folur që Ramush Haradinaj është shpallur qytetar nderi në gjysmën e qyteteve të Shqipërisë, si luftëtar shqiptar. Ata të cilët predikojnë komb kosovar, duhet të kujdesen që këto të mos ndodhin në të ardhmen. Duhet të mohojnë gjithçka, deri edhe UÇK-në. Duhet ta bëjnë, përndryshe smundet të ketë komb pa u ndërruar disa brezni. E lufta prandaj po zhvillohet; që breznive të ardhshme të mos u jepet edukimi kombëtar si breznive të derisotme. Nuk ka ndonjë arsye pse duhet ta bëjnë, pse duhet të fabrikojnë e pse duhet të devijojnë, kështu jemi krejt në harmoni. Megjithatë duhet theksuar se idea e kombit kosovar dhe vendimi për të propaganduar kombin kosovar, ngjan si superinvestim agjenturor i agjenturave anti-shqiptare. Kjo çfarë po shkruaj nuk është folklorizëm si i disave të cilët për gjithçka të keqe akuzojnë Serbinë e Greqinë, UDBA-në e Asfalinë dhe mandej ngjajnë qesharakë, njerëzit tallen me ta. Kombi kosovar mund të jetë operacioni më gjigand agjenturor kundër shqiptarëve. Disa shteteve në Ballkan nuk u intereson një union Shqipëri-Kosovë. Me krijimim e shtetit të Kosovës, faktori shqiptar në Ballkan është forcuar, smund të themi se jo. Me afrimin e me binjakëzimin e Shqipërisë me Kosovën, faktori shqiptar pa diskutim do të fuqizohej edhe më shumë. Me bashkimin e tyre, faktori shqiptar do të konsolidohej sigurt. Idea e bashkimit Kosovë-Shqipëri përbën kërcënim direkt gjeostrategjik për shtetet fqinje. Shqiptarët me bashkimin e burimeve natyrore dhe talenteve njerëzore, do ta lëviznin peshoren ballkanike në favorin e tyre, si ekonomikisht, si ushtarakisht, si kudo. Do të fitonin pozitë tjetër më të favorshme. Duke i ditur këto të vërteta dhe duke e parashikuar mundësinë e një bashkimi në 30 vitet e ardhshme, agjenturat janë investuar për t’i armiqsuar e për t’i larguar shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës. Ky nuk është konspiracion. Kjo është puna e çdo qendre agjenturore; fabrikimi i propagandës pro ose kundër diçkaje, ndikimi mbi mendjen e mbi mënyrën e të menduarit të njerëzve. Sot, mbasi patriotët shqiptarë kanë propaganduar për 100 vite për ta ndarë Kosovën nga bota sllave, bota sllave propagandon për ta ndarë Kosovën nga bota shqiptare, madje për ta ndarë edhe Shqipërinë nga bota shqiptare. Nuk ka arsye tjetër bindëse se pse propagandohet se shteti i Kosovës u dashka të distancohet nga Shqipëria. Nuk mund të shpjegohet ndryshe zelli i tepruar i disa analistëve e propagandistëve për tu distancuar nga Shqipëria e madje për të predikuar kundër Shqipërisë. Njëlloj siç nuk mund të shpjegohet ndryshe zelli dhe pathosi i shumë analistëve në Shqipëri të cilët propagandojnë kundër Kosovës prej 1945 kur është instaluar komunizmi. Synojnë të pamundësojnë afrimin, vllazërimin e mëtejshëm dhe bashkimin e përhershëm. Kosova edhe si Kosovë, si shtet më vete, me flamurin e vet, krejt natyrshëm mundet të jetë pol i botës shqiptare, nuk i kërcënohet shtetsia. Ndaj ska pse promovohet distancimi dhe marrja e një rruge të ndryshme prej Shqipërisë e prej shqiptarëve.