Welcome Lulzim Basha!


Nga Red Varaku

Rezoluta e Partive Popullore Europiane është prova e qartë dhe më e pakundështueshme që z. Lulzim Basha, tashmë gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Kjo rezolutë konfirmoi gjithashtu se kryetari i Partisë Demokratike konsiderohet sot partneri më serioz dhe i rëndësishëm në Shqipëri për faktorin ndërkombëtar.

Rezoluta e Zagrebit për daljen nga kriza vërtet nuk ka fuqi ligjore, por është rezoluta e grupit më të madh të Parlamentit Europian, partive që qeverisin sot edhe shtetet kryesore të Europës. Në këtë kuptim pesha e saj është e jashtëzakonshme.

Rezoluta në thelb është pa dyshim edhe vula e mbështetjes ndërkombëtare për Lulzim Bashën dhe Opozitën, sepse ajo jo vetëm reflekton të gjitha pretendimet e Opozitës, por duket sikur thjesht e ka përkthyer dhe më pas e ka miratuar projektin e Opozitës.

Nëse bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e miratuara nga Bundestagu Gjerman, ishin shpulla mbi fytyrën e larë në krim të qeverisë, rezoluta e Partive Popullore Europiane ishte një shpallje e hapur e mbështetjes së projektit të liderit të Opozitës.

Nëpërmjet kësaj rezolute të shprehur qartë e zeza mbi të bardhë, PPE grupi më i madh i parlamentit europian, grupi që ‘defacto’ drejton sot Europën, konfirmoi se Lulzim Basha është sot partneri më serioz dhe i rëndësishëm i tyre në Shqipëri.

Mbështetja europiane, vjen e pakursyer menjëherë pas mbështetjes amerikane, e cila jo më pak se rreth dy muaj më parë vlerësoi se z. Lulzim Basha po bënte përpjekje të cilat ‘demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë’ në lidhje me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për demokracinë.

Rezoluta e Zagrebit nuk është gjë tjetër veçse pranim i projektit të Lulzim Bashës për daljen nga kriza. Pra, edhe Europa ashtu si SHBA vlerëson udhëheqësinë e z. Basha, si faktor dhe promotor të zgjidhjes së çështjeve thelbësore, që lidhen me forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në Shqipëri dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Kjo rezolutë është një goditje fatale dhe rrëzoi përfundimisht të gjitha pretendimet e kuzhinës kryeministrore brenda dhe jashtë PD-së, çorba e të cilës prej kohësh mbante të mpirë dhe të çoroditur opinionin publik shqiptar, me tezën që z. Basha nuk gëzon mbështetje ndërkombëtare.Ajo është një shpullë e fortë që do t’i zgjojë dhe do t’i sjellë në realitet edhe mosbesuesit më kokërfortë dhe kritikët më të ashpër të projektit të Lulzim Bashës.

Rezoluta e PPE, ashtu si Ambasadorja Amerikane pak më herët, deklaron se e njeh dhe pranon krizën. Në këtë mënyrë ajo njeh, pranon dhe vlerëson edhe projektin politik të z. Basha si lider i Opozitës, përfshi këtu djegjen e mandateve dhe bojkotin d zgjedhjeve aq shumë të sulmuar nga këta mercenarë.

Rezoluta e PPE, si asnjëherë tjetër i mbylli gojën edhe megafonëve kryesorë të kryeministrit, mediave dhe portaleve pranë tij, gjenive të mashtrimit dhe manipulimit, të cilët kishin ngritur një tymnajë të jashtëzakonshme, në lidhje me raportin e z. Basha me faktorin ndërkombëtar.

Gjithashtu, rezoluta ishte një shpullë edhe për pretendimin tjetër të kuzhinës kryeministrore, gjoja sikur djegja e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale ishin akte të papranueshme dhe të pafalshme nga ndërkombëtarët. Në fakt, djegja e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale as që përmenden fare në rezolutë, përkundrazi rezoluta vlereson si shumë të përgjegjshëm të gjithë aksionin opozitar.

Ajo ishte një goditje fatale edhe për ata tellallë që thonë se pa mbaruar reforma në drejtësi, nuk do të ketë rrotacion politik, sepse rezoluta pranon se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme menjëherë pas reformës zgjedhore.

Pas kësaj rezolute të jashtëzakonshme në mbështetje të hapur për Opozitën , nuk besoj se ka njeri, përveç atyre që paguhen dhe kanë ngrënë çorbën e prishur të kuzhinës kryeministrore, që nuk është i bindur se z. Basha, jo vetëm që nuk është i izoluar nga faktori ndërkombëtar, por është njeriu të cilit i është ngarkuar përgjegjësia kryesore e realizimit të reformave më të rëndësishme për të cilat sot vendi ka nevojë emergjente.

Pas kësaj rezolute, edhe më naivët, e kanë të qartë, që z Basha gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për të qenë shumë shpejt kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve. Tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, që ai është udhëheqësi të cilit i është besuar integrimi i Shqipërisë në BE dhe dhënia fund e tranzicionit politik shqiptar.

Ndaj, jo rastësisht z.David McAllister, Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian dhe anëtar i Kryesisë së CDU, zyrtari të cilit z.Basha i besoi zgjidhjen e krizës së vitit 2017, bëri një përshëndetje të veçantë dhe nominale për kryetarin e PD.

‘Welcome Lulzim Basha’!