Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama!


Nga Elona Caslli

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Kockat do të fillojnë të bëjnë zhurmë si paralajmërim i kohës me shi dhe pasi shiu të ketë rënë do të thuash fjalinë që thuhet shpesh: “ Kockat e mia u liruan”.

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Ndonjëherë do të të duket vetja krejt i vetmuar , teksa do të shohësh ritmin e shpejtë të jetës!

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Me siguri nuk do të presësh në radhë për të marrë ilaçet. Nuk do ta presësh me ankth datën e marrjes së pensionit dhe nuk do të shohësh se mundi i një jete shpërblehet me aspak dinjitet në atë datë!

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Me siguri nuk do ta kesh mëdyshjen në shtëpinë tënde për t’u ngrohur ose jo! Fatura e energjisë elektrike nuk do të jetë fantazma e urryer së cilës nuk guxon t’ia hedhësh sytë.

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Me siguri nuk do ta kesh ankthin se yt bir nuk e paguan dot këstin e kredisë së shtëpisë dhe nuk do të të duket vetja krejt i vogël dhe i padobishëm kur nuk mund t’i gjendesh pranë.

Do të plakesh edhe ti një ditë, Rama! Festat e fundvitit do të vijnë edhe për ty! Me siguri nuk do të dëgjosh një Kryeministër që do t’i poshtërojë vitet e tua dhe mundin tënd me një shpërblim qesharak dhe këtë ta quajë arritje.

Do të plakesh edhe ti, Rama dhe do të kuptosh se mosha nuk është turp!

Post Scriptum- Do të plakesh Rama, por deri atëherë mos i mëshiro të moshuarit me shpërblimin poshtërues në fund të vitit.

more recommended stories

loading...