Altruizmi dhe kuptimi i tij biologjik. 5 arsye teorike

Nga Selim Kurti

Nuk janë pak njerëzit që ua kushtojnë kohën dhe pasurinë njerëzve në nevojë: të sëmurëve, të varfërve etj.
Edhe pse vetë bamirësit ndjehen të lumtur e të shpërblyer, sjelljet altruiste duket sikur bien ndesh me evolucionin e Darvinit, sipas të cilit, në luftën për ekzistencë, mbijeton më i përshtaturi.

Natyrshëm ka lindur pyetja: përse përzgjedhja natyrore nuk i ka spastruar sjelljet fisnike e bamirëse?
Ka disa shpjegime teorike për këtë:

1. Teoria e përzgjedhjes së grupit. Me sjellje të tilla kooperuese, individi “sakrifikon” për të mirën e grupit dhe të llojit (species).
Kjo teori ka mbijetuar për shumë dekada, por është vënë në pikëpyetje mekanizmi evolutiv i popullatave “bamirëse”.

2. Teoria e gjenit egoist. Sipas saj, përzgjedhja natyrore favorizon sjelljet altruiste ndaj të afërmve, që janë të ngjashëm me ne dhe me të cilët bashkëndajmë shumë gjene. Ndihma ndaj të afërmit është një mënyrë për të lënë sa më shumë kopje të gjeneve tona.
Mirëpo kjo teori nuk shpjegon altruizmin ndaj njerëzve të largët e pa lidhje gjaku.

3. Teoria e altruizmit të ndërsjelltë.
Sipas saj, emocione si faji, mirënjohja e simpatia mund të kenë evoluar pikërisht për të favorizuar marrëdhëniet e ndërsjellta mes njerëzve.
Kjo teori nuk shpjegon mirësjelljen ndaj personave që nuk presim t’i takojmë më kurrë (raste jo aq të ralla sa duken).

4. Reciprociteti i tërthortë.
Ne vëzhgojmë njerëz që sillen mirë me të tjerë, ndaj adaptojmë këtë mirësjellje me to.

5. Ndëshkimi altruist
Disa njerëz lindin me instinktin e qortimit – te të tjerët – të sjelljeve të pahijshme ose egoiste.

Të marra së bashku, këto teori nuk bien në kundërshtim me përzgjedhjen natyrore të Darvinit.

Aktet e mirësjelljes jo vetëm përmirësojnë gjendjen e përgjithshme të shoqërisë, por sjellin edhe përfitime për personin që i kryen.