Në një vend normal qeveria do të duhej të dorëzonte çelësat

Skerdilajd Zaimi

Në një vend normal qeveria do të duhej të dorëzonte çelësat dhe të pranonte ose ndryshime të thella, përfshi mocion ndaj kryeministrit, ose të kalonte në zgjedhje. Që në momentin që ministrja e Financës deklaron se nuk do të financohen më projekte publike për vitin 2020 sepse nuk ka më lekë, ndërkohë që rritjen ekonomike e mban 4.1%, ky duhet të ishte kryeargumenti dhe kryebeteja.

Shqipëria po falimenton. Por falimenti është perceptuar me kohë në këtë vend anormal që sot ripërtyp përrallat e vettingut dhe Gjykatës Kushtetuese, të një kryetari të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që sillet si gangster dhe të afateve të emërimit në Gjykatë të njërit apo tjetrit. Të gjitha çështje me rëndësi por që tashmë po bëhet e qartë se janë çështje interesi e rreth 100 personave me pushtet në Tiranë dhe askujt tjetër.

Asnjë vëmendje nuk ka zënë p.sh një lajm për fermerët në Lushnje që po flakin prodhimet, që po ngrenë zërin për mungesën e subvencionimeve, për mungesën e ministrit të Bujqësisë që ka humbur si sëpata pa bisht. Kjo është qeveri që i bën tuç realitetit me statistika. Eksportet për të dhe mediat e veta vetëm rriten, kurse ata që ankohen janë viktima të makinerisë së baltës. Edhe ata që ikin po kështu janë njerëz që shpesh keqkuptojnë progresin.

Është një luftë frontale që qeveria dhe politika në tërësi i ka hapir të vërtetës. Të përditshmes së çdo qytetari që e sheh veten të izoluar në morinë e lajmeve për veting, dvoran dhe ambasadorë. Një qark i mbyllur çmendurie ku një ambasador nxjerr gishtin e mesit, mediat e marrin në mbrojtje, ndërkohë që shqiptarët po i nxjerrin gishtin Shqipërisë.

Kemi lexuar shpesh në historiografinë e kohës së Enver Hoxhës se në kohë krize përfitojnë spekullantët. Por xhanëm edhe atëherë lihej të kuptohej se spekullantë ishin forca malinje kundër shtetit, kurse ne sot e shohim këtë leksion të materializuar në tjetër përmasë. Këtu shteti i gjithë, qeveria në krye po spekullojnë me çdo gjë, me të ardhmen dhe me historinë. E vetmja gjë mbi të cilën nuk spekullon asgjë, as ambasadorët, këto bushtra me imunitet, as ligji, sidomos ligji, është pasuria e politikanëve. Që mbrohet e mbarështohet, shtohet dhe investohet pa asnjë qeder.

Lekë ky shtet nuk ka, por nuk i mbarohen.

Kjo ishte një thënie e kohës së monarkisë. E thjeshtuar, domethënia është: sa kohë që pasurinë e ndajnë 4-5 veta dhe të tjerët rrinë e vështrojnë, këta të pakët do të blejnë edhe spektaklin politik e mediatik, do të prodhojnë debatin dhe krijojë ekonominë e rreme që ka gënjeshtrën si valutën bazë. Në këtë bursë feudalësh investohet shpresa e shumëkujt për të mbërritur në një garë të mbyllur në një rrugë qorre siç është ajo e mashtrimit.

Shikoni sesi një vend si ky yni arriti të zhvlerësojë çdo institucion dhe nocion, edhe ato ndërkombëtarë që kanë provuar se preken njësoj nga sëmundja e rëndë që paguhen prurësit më të parë.

Korrupsioni ynë jo vetëm vrau shpresën, por çmitizoi Europën dhe Perëndimin dhe kjo është një ndër humbjet më të mëdah të kësaj politike që qysh tashmë ka raportin e organizatës kriminale me ligjin, shoqërinë dhe pasurinë. Kush do ta ndalojë atëherë dhunën që është rrjedhojë e natyrshme e kësaj klime?

Cili vetting do të arrijë të krijojë kredencialet morale të një elite që cakton rroga dhe shpërblime dhe që nuk bën gjë tjetër veçse po përpëlitet të legalizojë një hiperpasurim që nuk ka asnjë justifikim dhe që paraziton?