Edi Rama ka harta serbe!


Nga Indrit Vokshi

Edi Rama publikoi një hartë të Ballkanit ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë. Rama pa dyshim mban harta serbe, se vetëm më hartat serbe Kosova vizohet si territor i Serbisë. Edhe kur e korigjoi, Rama thjesht sheshoi kufinjt, hoqi vijat dhe e paraqiti Ballkanin fushë të bardhë. Nuk e korigjoi duke e vizuar Kosovën si shtet. Edhe mënyra si e korigjoi ka vërtet rëndësi për të kuptuar me kë kemi të bëjmë.

Unë nuk pres prej Edi Ramës që të jetë patriot shqiptar. Nuk e kërkoj atë që nuk e shpresoj. Në ambientin ku është ngjizur e formuar, ka ngrohur tjetër energji. Kosova nuk ka qenë çështje, nuk ka qenë emocion i përbashkët e nuk ka qenë ankth vetjak, siç ka qenë për ne e familjet tona, për miqt tanë dibranë a çam e për pleqt që luteshin “Ishalla nuk vdes pa e pa Kosovën të çlirume”.
Mirëpo në terma shtetnore, Republika e Shqipërisë e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ndaj duke mos u kërkuar ta dashurojnë atyne që smunden ta dashurojnë, mund tu kërkojmë vetëm ta respektojnë. Ketë mund tua kërkojmë e për ketë mundemi t’i ndëshkojmë. Në politikën shqiptare, Kosova është një çështje përcaktuese e metër matës për të matur vlerën e secilit politikan. Politikani në Shqipëri vlen ose nuk vlen, në varësi të qëndrimit që ka për Kosovën. Prej Kosovës merret legjitimitet e prej Kosovës edhe turpnohesh e degradon në politikan të turpshëm e të neveritshëm. Edi Rama e kuptoi ketë ose ia këshilluan, ndaj në vitin 2014 nisi përpjekjet për tu pëlqyer në Kosovë e për të na u paraqitur si njeri i cili e do Kosovën. Kjo maskë ra shumë shpejt, sapo atij iu desh të përmbushte detyrimet ndaj atyne që e kanë ndihmuar për tu ngjitur në pushtet. Nga një Ramë hero mediatik në vitin 2014, sot kemi një Ramë të cilin as media e tij nuk mundet më ta kurojë.
Kushtetuta e Shqipërisë thekson detyrimin e Shqipërisë për aspiratën për Bashkim Kombëtar edhe detyrimin për tu kujdesur për të gjithë shqiptarët jashtë kufinjve të shtetit. Kosova ka krijuar shtetin e vet dhe në ketë situatë, detyrimi kushtetues i Shqipërisë për kujdes është detyrim i cili duhet të shprehet me ndihmë për forcimin e institucioneve politike, financiare e kulturore të Kosovës. Me ndihmë për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjes së kufinjve. Ndërsa në lidhje me shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi, detyrimi kushtetues për kujdes, lidhet me monitorim të rreptë mbi të drejtat dhe liritë e tyne, me shkëmbim kulturor e tregtar, arsimor e me shkëmbim ndjenjash vllazërore për të arritur ndërlidhje e bashkim. Shqipëria është kjo sa kemi por areali shqiptar është më i gjerë, nuk përmblidhet vetëm në kufinjt e Shqipërisë së 29 korrikut 1913. Ky është detyrim kushtetues përmes të cili është pasqyruar në kushtetutën e shtetit ajo çfarë shqiptarët duan. Sot Edi Rama, kryeministër i shtetit, kryen aktin që shqiptarët nuk duan. Nuk duan shqiptarët që në hartën e Ballkanit Kosova të paraqitet si pjesë e Serbisë. Ndaj një politikan i tillë duhet ndëshkuar e zhdukur sa më shpejt, pasi funksionin me harta serbe.

Foto në Gradec të Tetovës, tetor 2013, tek vendi e busti i Mehmet pashë Derallës, ministër i luftës në qeverinë e Vlorës.