Çfarë fshihet pas propozimit francez për të ndryshuar proçesin e Integrimit?

Nga Lavdrim Lita

Ditët e fundit studiuesit e çështjeve të Integrimit Europian janë marrë me dekriptimin e letrës 2 faqe të presidentit Macron mbi propozimin për të ndryshuar metodologjinë e antarësimit të vendeve në BE.

Qëkurse Franca vuri veton për të ndaluar çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin Evropës, një seri kritikash i kanë ardhur presidentit Macron nga disa kancelari europiane, Think Thank e analistë rajonalë, madje edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Fjalia më e përdorur ishte “gabim historik”.

Prej këtij momenti e më pas, kritika ndaj presidentit Macron u bë një sport popullor në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku i madh e i vogël, në parlament dhe rrjete sociale vloi neveria për refuzimin.  Emëruesi i përbashkët në këtë furi komentesh dhe analizash ishte injoranca tipike e atij që nuk di çfarë fshihet pas refuzimit dhe çfarë do të ishte propozimi. Ndoshta, nuk e dinte as vetë elita franceze e diplomacisë.

Nga propozimi dy faqe i Macron kuptohet se medotologjia do të ndryshojë nga miratimi i reformave për sy e faqe tek proçesi transformues, i suportuar nga një konvergjencë ekonomike e sociale, që do të ketë impakt real tek qytetarët.

Së pari, në propozimin francez përsëritet qartë togfjalëshi “anëtarësimin i plotë ” si objektivi përfundimtar i procesit, duke hequr nga tavolina skenarin e Parteritetit special pa Antarësim.

Së dyti, flitet për një proçes përafrimi shkallë shkallë: a) duke lejuar vendet kandidatë të aderojnë në politikat e BE-së hap pas hapi, b) pranimi gradual do t’i lejonte vendet kandidate të “praktikojnë anëtarësimin” pa hyrë plotësisht, pra pa votë/veto në Këshillin dhe institucione të tjera të BE.

Megjithatë propozimi francez duhet thënë se nuk ka qartësi për kontekstin juridik të “anëtarësimit gradual”.  Nëse vendet kandidate do kenë vetëm kaq, derisa të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara (që janë të rrepta) (parimi i dytë e kryesor i propozimit), kam frikë se në vend që të praktikojmë anëtarësimin, rajonit tonë thjesht do tu jepet një lodër për ta mbajtur veten të zënë për vite apo edhe dekada që do të vijnë.  Përshembull, pa nënshkruar një Traktat Antarësimi, Gjykata Europiane e Drejtësisë nuk do të ketë juridiksion mbi vendin tonë dhe të tjerë, që duan të antarësohen.

Parimi i dytë i propozimit të Macron ka të bëjë me “kushte të rrepta”. Dhe sipas tij vlerësimin final nuk do ta bëjë më KE, por vendet anëtare. Në këtë kontekst, ne kemi një kritikë për Komisionin Evropian, që sipas francezëve, raportet e Monitorimit i ka të dobëta. Shqipëria ka marrë disa vlerësimi pozitive nga ana e KE, edhe kur vendi ishte i kanabizuar sepse raportimi nga Tirana çalonte në strukturat e BE dhe qeveritë evropiane (Franceze, Gjermane, Hollandeze, etj) filluan të merrni seriozisht veç kabllogramet e ambasadave të tyre.

Mirëpo kalim i vlerësimit nga KE/BE tek vendet anëtare do të ndryshonte asetin institucional (sistemi i votës) të Bashkimit Evropian, çka e bën të vështirë të merret në konsideratë propozimi francez për ndryshimin e metodologjisë.

Gjithashtu propozimi francez dëshiron një qeverisje politike të përmirësuar të procesit të Integrimit, përfshirë takimet vjetore të Këshillit Evropian me krerët e shteteve ose qeveritë e Ballkanit Perëndimor.

Takime të tilla do të ishin shumë të dobishme për të mbajtur pozitive frymën dhe zgjerimin në axhendën politike të BE-së, ndërsa në të njëjtën kohë të mbështeste më tej konvergjencën ekonomike e sociale të rajonit me përparësitë kryesore të politikës së BE-së.  Tema të tilla si antikorrupsioni, antioligakia, ndryshimet klimatike, heqja e barriera të ndryshme, do të ishin meze në tryezë.  Takimet në nivele të larta nuk mund të jenë veç raste për të bërë foto të liderëve për ti treguar kancelarive që popujt tanë mund të rrinë urtë, se i bëjnë zap liderët autoritarë.

Sido që të jetë, një faktor vendimtar për të mbështetur ose bllokuar propozimin francez mund të jetë mbështetje (ose mungesë e tij nga vetë rajoni i Ballkanit Perëndimor.