Albana Vokshi: Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) rrëzon ligjin e Ramës për censurën e medias online

Nga Albana Vokshi, PD

Sot, shumica e Bordit të AMAs: Sami Neza, Agron Gjekmarkaj dhe Suela Musta, duke qëndruar në lartësinë e detyrës për të cilën janë votuar, kanë rrëzuar me shumicë votash (3 vota kundër dhe 2 vota pro) ligjin e rikthimit të dënimeve të gazetarëve për agjitacion e propagandë.

Nëpërmjet dy projektligjeve, të hartuara me urrejtje në zyrën e Edi Ramës, Autoriteti i Mediave Audio-Vizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare urdhërohen me ligj nga Kryeministri, të vlerësojnë përmbajtjen editoriale të mediave, të gjobisin si dhe të mbyllin portalet që e kritikojnë atë duke marrë edhe kompetencat e gjykatave.

Këto pr.ligje janë kundërshtuar me forcë nga komuniteti i medias në Tiranë dhe dhjetra organizata ndërkombëtare e institucione europiane. Shtypja e të drejtave të gazetarëve dhe kontrolli i medias është denoncuar në të gjitha kancelaritë perëndimore dhe përkeqësimi i indeksit të lirisë së shtypit në Shqipëri ka ndikuar edhe në vendimin për negociatat.

Sot, tre anëtarët që nuk kontrollohen nga qeveria, duke mbajtur të njëjtin qëndrim me organizatat vendase dhe ndërkombëtare, e kundërshtuan pr.ligjin si antikushtetues dhe si cënim të lirisë së medias, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim. Ata shprehën shqetësimin për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të mediave të shkruara si dhe kontrollin e tyre nga ana e qeverisë duke anashkaluar parimin e vetërregullimit, siç përcaktojnë direktivat e BE.

Duke përshëndetur këtë vendim të tre anëtarëve në Bordin e AMAs, PD gjen rastin të riktheksojë se dy pr.ligjet e hartuara nga Edi Rama, janë antikushtetuese, janë rrezik për lirinë e medias, lirinë e shtypit, të drejtën për informim si dhe cënim i demokracisë.

Censurimi me ligj i medias online, është pushteti i fundit që kërkon të marrë Edi Rama.

Është koha të mbrohet shtylla e fundit e demokracisë në Shqipwri!

Është koha të gjithë të reagojnë për të ndalur Kryeministrin që ka kapur të gjitha pushtetet.

Sapo të ketë besimin e qytetarëve për të qeverisur, Partia Demokratike do të anullojë menjëherë ligjet që shtypin lirinë e medias.

more recommended stories

loading...