Venecia sërish në gjendje alarmante, priten rreshje të tjera shiu

Venecia po përgatitet për më shumë reshje shiu, pas përmbytjeve të mëdha që nxitën një thirrje ndërkombëtare për kontribute. Venecia vazhdon të mbetet në alarm të kuq me më shumë përmbytje dhe erëra të forta të parashikuara për këtë fundjavë, pasi një baticë e jashtëzakonshme pushtoi kanalet e qytetit, ku autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Meteorologët parashikojnë mot më të stuhishëm, këtë fundjavë, ndërsa shkollat, do të qëndrojnë të mbyllura. Pavarësisht kësaj, shumë muze dhe vende turistike do të hapen përsëri për publikun, duke përfshirë edhe Palazzo Duchale.

Sipas bashkisë së qytetit, niveli i ujit është rreth 120 centimetra mbi nivelin normal të detit. Në këtë nivel, sheshi “Shën Marku”, ku ndodhet dhe Palazzo Duchale mbetet i përmbytur, pasi është pika më e ulët e Venecias. Megjithatë, niveli i ujit ka rënë ndjeshëm krahasuar me të martën,187 centimetra, që nënkuptonte se pothuajse i gjithë qyteti, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, u përmbyt. Kjo ishte përmbytja më e madhe e Venecias në mbi 50 vitet e fundit. Kriza ka bërë që qeveria të akordojë një fond prej 20 milionë eurosh për të përballuar situatën ndërkohë që riparimi i dëmeve në qytet, do të jetë një sipërmarrje gjigante. Shumëkush, përfshirë kryebashkiakun e Venecias, kanë fajësuar ngrohjen globale për përmbytjen dhe kanë paralajmëruar se qyteti i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore duhet të zgjohet dhe të përballet me rreziqet.

Serenissima, siç quhet qyteti pluskues, ka 50 mijë banorë por pret çdo vit 36 milionë vizitorë nga e gjithë bota. Një projekt masiv infrastrukture, i quajtur MOSE, ka nisur që nga 2003 për të mbrojtur qytetin, por ai është shoqëruar me ezaurim fondesh, skandale korrupsioni dhe vonesa.