SKANDAL | Dvorani gjykoi 30 çështje të kompanisë ALBTELECOM, edhe pse u kishte marrë 34 mijë dollarë borxh

Ardian Dvorani, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, që i ka mbaruar mandati prej 5 vjetësh, por qëndron ende në detyrë, e kaloi mes polemikave procesin e vettingut. Askohë në media u publikua vetëm fakti që Ardian Dvorani nuk kishte deklaruar disa llogari bankare në emrin e tij dhe të personave të afërt, por në fakt dosja e tij në vetting, kishte shumë aspekte që mbetën pa u hetuar.

Aspekti më i qartë që është anashkaluar dhe nuk është hetuar fare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ishte konflikti i paprecedentë i interesit midis Ardian Dvoranit dhe shoqërisë tregtare ‘Albtelecom sh.a.’

Rezulton e provuar se shoqëria “Albtelecom sh.a.”, ka financuar Ardian Dvorani për blerjen e një apartamenti privat në shumën prej 34.410 US$. Këtë fakt e pranon edhe vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin e tij. Ky financim është alokuar në vitin 2000. Gjyqtari Ardian Dvorani, ka filluar shlyerjen me këste të kësaj shume, përgjatë periudhës 2004-2013, ndaj shoqërisë “Albtelecom sh.a.”. Për pasojë, rezulton e provuar se gjyqtari Ardian Dvorani ka qenë në një marrëdhënie hua/debi me shoqërinë tregtare “Albtelecom sh.a.”. Aq më tepër, që rezulton e provuar që ai ka përfituar edhe uljen e pjesës së mbetur të vlerës së detyrimit (çmimit të shitjes) në shumën prej 1.761.722 lekësh, nga shoqëria tregtare “Albtelecom sh.a.”.

Sipas nenin 33 të ligjit nr. 84/2016, ILDKPKI-ja, dhe më pas KPK, kishin detyrimin ligjor, që bazuar në deklarimet e pasurive, të zhvillojnë një procedurë të plotë kontrolli në përputhje me ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe Kodin e Procedurave Administrative. Në përfundimin të kontrollit, KPK kishte detyrimin që të dal në konkluzionin e qartë nëse nga deklarimi subjekti gjendet apo jo në situata konflikti interesi sipas dispozitave procedurale në fuqi, apo sipas ligjit për parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesit. Ushtrimi i detyrës së gjyqtarit, pa respektuar ligjin për shmangien e konfliktit të interesit, ishte shkak i mjaftueshëm për shkarkimin nga detyra.

Në përputhje me këtë përcaktim të ligjit, KPK kishte detyrimin që të hetonte nëse gjatë kësaj periudhe, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, ka marrë apo jo pjesë në procese gjyqësore me palë shoqërinë tregtare “Albtelecom sh.a.”. Po kështu nga ana e KPK duhej verifikuar nëse Ardian Dvorani ka marrë pjesë në gjyqe me palë ndaj të cilëve ka qenë debitor (rezulton se vetë subjekti ka marrë 2 kredi nga banka Credins për blerje automjeti), apo familjarë të tij kanë pasur procese gjyqësore ku ai ka ndikuar (rezulton se bashkëshortja ka fituar një proces gjyqësor me objekt: Largim të padrejtë nga puna).

Qartësisht, KPK me dashje ka anashkaluar hetimin e këtij aspekti të procesit të rivlerësimit (ushtrimi i detyrës në kushtet e konfliktit të interesit), për shkak se rezultatit i hetimit do kishte sjell shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ardian Dvorani, ndërkohë që vullneti i paracaktuar i KPK ka qenë konfirmimi i paligjshëm i tij në detyrë. Në raste të tjera, KPK ka kryer hetim për këtë pjesë të procesit, duke përcaktuar kështu një standard të ndryshëm nga ai i aplikuar në këtë rast (Shiko mënyrën e hetimit dhe standardet e hetimit të përcaktuara me vendimin nr. 26, datë 21.06.2018 të KPK).

Nga një kërkim i thjeshtë në bazën elektronike të të dhënave të vendimeve të Gjykatës së Lartë, rezulton e provuar se gjyqtari Ardian Dvorani, në kushtet e konfliktit të interesit, gjatë periudhës 2005-2013, ka marrë pjesë në procese gjyqësore, si kryesues apo anëtar i trupit gjykues, në të paktën 30 procese gjyqësore me palë shoqërinë “Albtelecom sh.a.”. Pasi ka dhënë disa vendime në favor të shoqërisë “Albtelecom” sh.a., ai ka përfituar edhe uljen e pjesës së mbetur të vlerës së detyrimit (çmimit të shitjes) në shumën prej 1.761.722 lekësh, nga shoqëria tregtare “Albtelecom sh.a.” (pra, një dhuratë/trajtim preferencial).

Kjo përbën shkelje flagrante të ligjit procedural civil (neni 72 i Kodit të Procedurës Civile) dhe ligjit për parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesit (neni 5), që përcaktojnë qartë që gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje konkrete kur: “Ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi, apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose me njërin prej përfaqësuesve.”.

Mjafton ky shkak, që nëse do ishte hetuar nga KPK, do të kishte sjell shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ardian Dvorani, për shkak të shkeljes flagrante të ligjit dhe zhvillimit të proceseve gjyqësore në kushtet e konfliktit të interesit. A kanë shërbyer vendimet gjyqësore të Ardian Dvoranit, si burim frymëzimi dhe nxitje për shoqërinë ‘Albtelecom sh.a.’, që të ndërmerrte vendimin për uljen e pjesës së mbetur të vlerës së detyrimit (çmimit të shitjes) në shumën prej 1.761.722 lekësh, (pra, një dhuratë/trajtim preferencial) ndaj tij? Kësaj pyetje, kishte detyrimin t’i jepte përgjigje KPK! Kësaj pyetje ka detyrimin ti përgjigjet sot edhe vetë Ardian Dvorani!

Më poshtë vetëm dy nga 30 vendimet gjyqësore të dhëna në kushtet e konfliktit të interesit nga Ardian Dvorani:

Nr.11211-02356-00-2007 i Regj. Themeltar

Nr.00-2011-2302 i Vendimit (532)

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përberë nga:

Ardian Dvorani Kryesues

Fatos Lulo Anëtar

Evelina Qirjako Anëtare

Andi Çeliku Anëtar

Medi Bici Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 22.11.2011 mori në shqyrtim çështjen civile me palë:

PADITËS I K/PADITUR: FATMIR CELOALIAJ, përfaqësuar nga Av. Fuat Muka

I PADITUR K/PADITËS: ALBTELEKOM SH.A. RAJONI VLORË, përfaqësuar nga juristët Elca Sadushi dhe Suela Zyberaj

PERSON I TRETË

NDËRHYRËS DYTËSOR

BASHKUAR ME PADITËSIN: ALFRED EMINAJ, përfaqësuar nga Av. Lazër Sokoli

OBJEKTI I PADISË:

Zgjidhje e kontratës datë 16.08.2005 për përdorimin e aksesit E1,

detyrimin e të paditurit të më kthejë 840.000 lekë të paguara

për instalim shërbimi P.A.B.X., goditje për falsitet të kërkesës datë 03.08.2005,

shpërblim dëmi; pagim i shpenzimeve të kryera prej paditësit;

OBJEKTI I K/PADISË:

Detyrimin e të paditurit të na paguajë detyrimin prej 7.474.395 lekë

të përbërë nga 6.952.926 Lekë impulse të harxhuara

dhe 521.469 lekë kamatë vonesë.

Baza ligjore e padisë: Neni 31/1, 185, 270, 273 i K.Pr.Civile,

neni 698, 608, 640 e 722 i K.Civil;

Ligji nr.8618, datë 13.06.2000,

Ligji nr.8192, datë 06.12.1997.

Baza ligjore e k/padisë: Kontrata datë 16.08.2005,

nenet 445, 698 të K.Civil

Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs pala e paditur Albtelekom sh.a., që kërkon prishjen e vendimeve të dy gjykatave dhe pranimin e kundërpadisë dhe parashtron këto shkaqe:

Gjykata e apelit nuk ka hetuar në tërësi çështjen, pasi ka lënë pa analizuar një sërë pretendimesh të ngritura nga ana jonë;

Akti i ekspertimit është i paplotë dhe me të meta të mëdha. Ky akt nuk është bërë nga eksperti i fushës së telekomunikacionit.

Ne kemi lidhur një kontratë të rregullt me palën paditëse dhe kemi ofruar shërbimet sipas asaj kontrate;

Faturimi i lartë vetëm në një numër nuk do të thotë që të gjithë impulset janë konsumuar nga një numër, për arsye se në llojin e shërbimit që ofrohet në faturë del vetëm një numër, por lidhja e numrave të tjerë bëhet me central;

Fatura e gjeneruar në drejtim të paditësit është prodhuar në bazë të aparaturës digitale S2 Alcatel të vitit 1998, që paraqet shumën e impulseve të gjeneruara në total;

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485, germa (c) dhe (d) të K.Pr.Civile,

V E N D O S I

Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë nr.515, datë 26.09.2007 dhe vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë nr.1965, datë 06.11.2006, për sa i përket kërkesë padisë dhe rrëzimin e kërkesë padisë.

Prishjen e vendimit nr. 515, datë 26.09.2007 të Gjykatës së Apelit Vlorë për sa i përket kundërpadisë dhe kthimin e çështjes në po atë gjykatë për rigjykim, me tjetër trup gjykues.

Tiranë, më 22.11.2011

Nr.11241-01822-00-2007 i Regj. Themeltar

Nr.00-2010-1341 i Vendimit (430)

VENDIM

NЁ EMЁR TЁ REPUBLIKЁS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ardian Dvorani Kryesues

Ardian Nuni Anëtar

Arjana Fullani Anëtare

Guxim Zenelaj Anëtar

Medi Bici Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 11.11.2010, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket palëve:

PADITËS: FATMIR GJUTA, përfaqësuar nga av. Baftjar Rusi

E PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME “ALBTELEKOM” SH.A, TIRANË, përfaqësuar nga juristët Suela Zyberaj dhe Alket Radovani

OBJEKTI I PADISË:

Detyrimin e të paditurit që të më dëmshpërblejë

për pagën e 12 muajve

për zgjidhjen e kontratës pa shkaqe të arsyeshme,

dy muaj për mosrespektimin te afatit te njoftimit

dhe dy muaj për shkelje të procedurës të zgjidhjes së kontratës.

Baza Ligjore: Neni 324 e vijues i K.Pr.Civile;

nenet 9/1, 11, 18/b, 105, 109, 115/b, 118/2, 119,

123, 124, 137, 139, 140, 141 pika 2, 146 te K.Pr.A;

nenet 144, 145, 146 dhe 147 të K.Punës.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485 të Kodit të Procedurës Civile,

V E N D O S I

Prishjen e vendimit nr.473, datë 26.04.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim po asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.

Tiranë, më 11.11.2010